Blog

Fushata më e ndyrë e këtyre 30 viteve - Nga Ilir Levonja

Nga 30 vite pluralizëm kjo është fushata më e ndyrë, më e ulët, më poshtëruesja që ka vrarë që në krye garën reale. Në televizionet shqiptare të shkatërrohen nervat kur shikon 3 fytyra, Edin, Lulin dhe Erionin. Edi i madh, një gogol klasik që do e përgjigjet si i do bytha, madje nuk e ka për gjë të ngrihet e të lërë studion pas pyetjesh të tilla se si është e mundur që një kapele polici kushton 328 euro? Me se është bërë more vëlla? Me çfarë materiali kaq të kushtueshëm? 

Edi, i cili përfundimisht e ka fituar betejen, ua ka mbushur mëndjen top shqiptarëve, se armiku i tyre dhe e keqja e vendit, nuk është ai, por Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sikur edhe 8 vite të tjera të qeverisë, që mos o Zot, prapë ata janë fajtorët. Në mos ata, do shpiki dy, ndofta nga këta që promovon tani.

Luli, jashtë mode që flet vetëm për qeverisje me marrëveshje publike. Me dritëhije të një aleance të urryer por edhe të mundshme midis tij dhe Ramës. Dhe në fund më i neveritshmi, lali Eri që u kujton shqiptarëve makinat luksoze të opozitës, por që nuk denjon t'i përgjigjet një gazetari mbi vjedhjen e të dhënave. Madje i çon truprojat ta hedhin tutje sikur të jetë një send i padobishëm. Për t'i vënë vulën ndyrësisë, mjafton të shikoni atë shiritin sipër ekranit ku shkruhet pamjet e servirura nga PS apo PD.

Unë e kam pohuar vazhdimisht se partitë e vogla janë një egzagjerim i realitetit shqiptar, por derisa i ke pranuar dhe ke shpallur një garë, koha televizive duhet të ishte e shpërndarë njësoj. Në kuptimin që duhej të kishte vend edhe për spotet e tyre, për fushatën e tyre, për projektet, programet. Dhe se e vetmja e rrugë e eleminimit, duhej të ishte vota përmes një formule, përshembull me kalimin e një pragu elektoral. Por kjo nuk ndodh!

Në televizionet e shqiptarëve serviren pamjet e ofruara nga vetëm 3 pole, të dhunshme, plot fyerje e përbuzje aq sa kurrë mos prisni nga tetëmbëdhjetëvjeçarët një politikë ekuivalente perëndimore. Do kemi një vazhdimësi të stanjacionit, të sharjeve dhe konflikteve të njëpasnjëshme në shtabet elektorale. Dhe ta dini, kaq poshtë Shqipërinë nuk e ka rrëzuar vetëm Edi Rama, por edhe shoqëria e saj.

Një pjesëmarrje e dëshiruar për ndryshim do sillte një pranverë tjetër me domosdo, sado të përpiqeshin ta ndalonin, pranvera do vinte, por shoqëria është bërë palë e mykur e postulateve ç'më duhet mua? Pse për atë do të votoj unë? Ai është më i keq se ky? Ndaj dhe kjo fushatë mban erë të ndotur e ka prodhuar edhe një pol politik malinj, atë të opozitarizmit karshi opozitës.

Sado të kalojnë vitet në pushtet të iks grafomani, sytë janë tek lideri i opozitës, ose tek ai që ka çelësat e kashtës. Nga ana tjetër edhe shtypi a media, kanë zëvendësuar misionin me honoraret, pranojnë çdo kasetë, thonë çfarë duan ata, duke qënë vetë një kufomë.

Gogoli bërtet që e gjeti vendin në borxhe, megjithëse vetë e ka dyfishuar borxhin. Bërtet se nuk merret me tenderat e kapeleve të policëve, është kryeministër, nuk do t'ia dijë se një kapele ka kushtuar 328 euro. Madje publikisht heq mikrofonin, ngrihet e ikën duke i dhënë dritë kostatimit mbi kufomërinë e shtypit.

Kur them se nuk e ka vrarë demokracinë tek ne vetëm Edi Rama, por edhe shoqëria, kam parasysh edhe një komision të lodhur aparatçikësh pandemie që bash disa ditë para hedhjes së votës, lëshojnë urdhëresa ndalimi. Janë edhe këta një seri kufomash a shushunjash që bën të lëngojë vendi ynë. I heqin të drejtën e votës shqiptarit që vjen nga Greqia, a Maqedonia e Veriut, me ligjin e karantinimit dy javor. Një neveri veglash që kurrë nuk i kanë shërbyer vendit, por Enverit dhe këtij Putinit gogol që nuk e di se si keni sy dhe i mbani televizorët hapur.

Dikur i sillnin emigrantët me autobuzë, sot ua ndalojnë hyrjen. A e dini pse është vendim teknik i neveritshëm? Fare thjesht. Derisa ky dikushi vjen me rezultatet e testit, që tashmë e kërkojnë shumë shoqëri udhëtimesh, ti nuk ke përse e detyron të karantinohet. Ndryshe duhet t'ua bëje edhe atyre turistëve që vijnë nga Çekia për pak jod mesdhetar. Të gjithëve që udhëtojnë lart e poshtë këto kohë të vështira. Por kjo nuk ndodh me ata që duan të votojnë. Një komision kufomash vret demokracinë në mes të ditës. Të gjithë teseristë partie, jo specialistë.

©Ilir Levonja