Blog

A duhet pranuar rezultati i zgjedhjeve patronazhiste? - Nga Ilir Gjini

Patronazhist, profesioni më i ri i “shpikur” nga ne shqiptarët, i vetmi në llojin e vet në botën e shteteve të qytetëruara ku edhe ne shqiptarët kërkojmë me ngulm ti bashkohemi. Vetëm në Shqipëri ndodh që Kryeministri mban njëkohësisht edhe postin e Kryepatronazhistit.

Para tetë viteve premtoi 300 mijë vende te reja pune. E “mbajti” premtimin. Madje edhe e tejkaloi. Në tetë vite të qeverisjes së tij patronazhiste, rreth 400 mijë shqiptarë lanë atdheun dhe u “punësuan” në Europë e Amerikë. Në vitin e fundit të qeverisjes, vetëm në Qarkun e Tiranës u punësuan 9 mijë vetë me profesionin e ri, - patronazhist. Kjo ushtri patronazhistësh ka në gjirin e vet edhe pjestarë të policisë e ushtrisë, paçka se ligji i ndalon. Madje ushtria e patronazhistëve, tejkalon në numër edhe efektivët e forcave tona të armatosura.

Patronazhistët, nuk janë si masovikët e djeshëm që përçonin te masat ideologjinë e partisë. Këta të sotmit e përdorin shtetin si sekser ose gogol në këmbim të votës. Dikush kërcënohet me ndihmën sociale, dikujt i premtohet punësim, të tjerëve u shkelet syri për një legalizim. Por, pas zgjedhjeve do rezultojë “legalizim” i tipit rruspë. Plot 40 mijë fakirëve që sot u dërgojnë patronazhistë për t’u rrëmbyer votën, nesër do t’iu shembin banesat.

Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet patronazhiste të 25 Prillit, a duhet të njihet rezultati i tyre? Që zgjedhjet të njihen, ato duhet të jenë të lira. A janë të lirë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre me votë?

Administrata frikësohet me vendin e punës. Fakirët me ndihmën sociale. Emgirantëve u mohohet vota me “karantinim” nga komisioni i ekspertëve, që s’janë gjë tjetër veçse patronazhistët e PS-së me bluza të bardha. Por ka edhe më keq. SPAK, elita e drejtësisë, prokurorët e mirëpaguar me superbenefite, po shfaqen në sytë e të gjithëve si patronazhistët e Partisë Socialiste në drejtësi.

Në vend që të hetonin serverat e E Albania dhe KOKSH-it, prokurorët spakistë me iniciativë nga poshtë dhe me orientim nga lart, mësynë zyrat e Lapsit të medias për të zbuluar tradhëtarin. Zbardhia e këtij krimi me të dhënat personale, zgjidhet fare lehtë duke kontrolluar serverat e E Albania-s, pasi çdo ndërhyrje lë gjurmë. Por SPAK-u i partisë po kërkon gjilpërën në kashtë te zyrat e Lapsit, për të varrosur të vërtetën. Për të mos fundosur partinë mëmë patronazhiste.

SPAK po shërben si komerdare e pushtetit të mbytur në detin e korrupsionit. Prandaj rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit është i deformuar. Kjo sepse ekipi i partisë mëmë patronazhiste, ka manipuluar edhe sistemin “VAR”.

Dikur thoshim se rruga jonë për në Europë kalon nga fqinjë tanë Italia dhe Greqia. Sot mund të themi me gojën plot se kjo rrugë për në Europë, kalon nga Kosova. Kosova, gjysma e trupit tonë të copëtuar, është busulla jonë europiane. Pa patronazhistë, pa administratë të frikësuar e “ekspertë” që karantinojnë votën e emigrantëve, me rotacion normal të pushtetit. Faleminderit Kosovë!

©Ilir Gjini