Blog

Kina në portin e Tivarit? - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Në vitin 2014 qeveria e Malit të Zi e mori një kredi prej 944 milionë euro nga banka kineze Exim për të ndërtuar një autostradë gjigande në drejtim të Serbisë. Tani qeveria e Malit të Zi është në panik. E ka vështirë të kthejë kredinë, të paguajë këstet e para. Politikanët e Podgoricës kanë kërkuar ndihmë në Bruksel. Përgjigja nga BE është kjo: as që na shkon ndërmend të paguajmë kreditë tuaja kineze.

E tash? Tash ka supozime të ndryshme se çka mund të ndodhë. Në Mal të Zi ka vëzhgues politikë që thonë se Kina tani mund t’ia marrë Malit të Zi portin e Tivarit, më të rëndësishmin e vendit. Këtë metodë Pekini e ka aplikuar në Sri Lankën e largët. Ky shtet më 2017 s’arriti të paguajë kreditë kineze dhe Sri Lanka u detyrua që për 99 vjet t’ia dhurojë Kinës portin Hambantota.

«Diplomaci e kurthit të kredive», kështu quhet politika e re kineze ndaj vendeve të tjera që marrin kredi nga diktatura e kuqe. Sipas gazetës gjermane DIE ZEIT autor i definicionit mbi «diplomacinë e kurthit të kredive» është eksperti i gjeostrategjisë nga India, Brahma Chellaney. Qëllimi i Kinës është cinik: jep kredi për shtete të varfra, futi ato në kurthin e kredive dhe kështu krijo shtete vasale, duke ua marrë resurset kryesore.

Ende nuk dihet si do të marrë fund drama kinezo-malazeze. Kontrata e kredisë është sekrete. Por gjeostrategë perëndimorë pyesin: a mund të qëndrojnë BE dhe SHBA indiferentë nëse Kina e merr portin e Tivarit?

Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Me gllabërimin e portit të Tivarit, Kina do të kishte dalje në detin Adriatik. Çfarë s’arritën rusët të bëjnë përmes presionit politik, a do ta arrijë Kina me një kredi? Janë pyetje të pakëndshme, me të cilat duhet të ballafaqohet sidomos presidenti Milo Gjukanoviç, qeveria e të cilit e pat nënshkruar marrëveshjen me kinezët.

©Enver Robelli