Blog

Ruaj votën, mos e shit! - Nga Rob Kore

Një vënd quhet shtet kur ka ligje. Ligjet aprovohen nga politikanët. Politikanët kontrollohen nga vota. Pra, nga vota jone varet se çfarë shteti do kemi nesër.

Por ka nje problem shumë të madh sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Edhe vota ndikohet nga opinionet, të cilat i përpunon media nëpërmjet mjeshtrave të fjalës, të cilët perhapin fake news non stop.

Por më e keqja është që vota vidhet. Në fushatat zgjedhore krijohet një rrëmujë dhe konfuzion opinionesh dhe mendimesh, sa që shume njerëz ndodhen në dilemën: Kë të votojmë?

Në Shqipëri konfuzioni bëhet akoma më i madh, sepse ne jemi një vënd me shumë probleme dhe si rrjedhojë kemi shumë objektiva që duam të arrijmë. Në kësi rastesh bota mundohet që votuesit t’ia bëjë sa më të lehte zgjidhjen e dilemes.

Votuesi është instruktuar dhe edukuar t’i bëjë pyetjen vehtes: A jam më mirë sot se 4 vjet më parë? Kjo pyetje i heq votuesit gjithë konfuzionin e krijuar gjatë fushatës dhe e qartëson atë, se për kë duhet të votojë.

Për votuesin perëndimorë kjo pyetje mund të jetë e mjaftueshme, sepse problemet e tjera ata i kanë të kopsitura dhe nuk varet shumë a eshte në pushtet njëra parti apo tjetra. Kurse në Shqipëri duhet pyetur edhe për dy objektiva të tjerë kryesorë që kemi ne si Shqipëri.

-Çfarë përparimi bëri demokracia në këto 4 vjet?

-Çfarë përparimi bëri Shqipëria në drejtim të futjes në BE?

Mendoj se duke i bërë vehtes këto tri pyetje mund ta sqarojmë më mirë votën tonë.

Pyetja e pare ka të bëjë me anën ekonomike të votuesit të thjeshte. Përderisa ne hoqëm qeverinë e meparshme, e cila i dyfishoi rrogat dhe pensionet, kjo qeveri me një rritje fare të vogël, ngel në klasë automatikisht.

Në drejtim të demokracisë mendoj se jo vetëm nuk përparuam, por bëmë shumë mbrapa. Të katër shtyllat që mbajnë një demokraci u përkeqësuan. Ekzekutivi, ishte vetëm Edi Rama. Të gjithë ministrat ishin kukulla pa asnjë vlerë. Legjislativi, ishte më i keqi që kemi patur ndonjëherë. Parlament pa opozitë, i mbushur me injorantë, dallkaukë, debila dhe mashtrues ordinerë. Drejtësia, u bë inekzistente. Ne kishim drejtësi të keqe edhe para “Rilindjes”, por së paku institucionet e drejtësisë ekzistonin. Mediat u kthyen thuajse totalisht në funksion të qeverisë. Zërat opozitarë ishin fare pak dhe mbyteshin nga propaganda pro-Rama.

Përgjigja e pyetjes së tretë është fare e qartë. Asnjë përparim në 8 vjet në drejtim të hapjes së negociatave dhe pranimit në BE. Në këtë drejtim kjo qeveri jo vetëm ngel në klasë, po merr noten dysh, sepse e dorëzoi fletën e bardhë.

Pra si konkluzion ndryshimi në Shqiperi është jo vetëm i domosdoshëm, por është një emergjencë. Edhe ai tjetri qe do vijë, nëqoftëse nuk na sjell permirësim në detyrat e mesipërme, njelloj duhet trajtuar. Presioni ndaj tij duhet të fillojë menjëherë, sapo të formohet qeveria e re.

Por para se të vijmë këtu, ruaj votën, mos e shit!

©Rob Kore