Përgëzimi i SHBA për Ramën një absurd - Nga Ylli Dylgjeri
Qysh në krye po e shpreh thjesht mendimin tim lidhur deklaratën përgëzuese të SHBA.
Së pari, unë, si shtetas shqiptar, nuk ndihem i përgëzuar nga zgjedhjet e fundit në vendin tim. Procesi i zgjedhor më bëri të ndihem i fyer, i ndotur, i zhgënjyer, sepse faktet e derisotme elektorale më kanë bindur se këto zgjedhje ishin të pabarabarta, të deformuara, përçarëse dhe jo të lira. Këto zgjedhje ishin nje mashtrim!
Vullneti i popullit u tjetërsua. Makinacionet, patronazhistët jo ligjorë, pjesëmarrja e administratës publike në fushate, klientelizmi, anësia e mediave pranë qeverisë, vrasjet, plagosjet, rrahjet masive, pamjet qe i ndoqëm edhe në media treguan për një masaker elektorale në sy të politikanëve, kandidatëve për deputetë dhe organeve të rendit e pushtetit vendor.
Së dyti, partneriteti është një fjalë e madhe. Por edhe ky partneritet është i pavërtetë. Raportet investiguese që vijnë nga institucionet amerikane gjatë viteve të qeverisë Rama janë ngjethëse: droga, krimi, trafiqet, skandalet financiare emigracioni masiv, mungesa e stabilitetit politik dhe ekonomik etj. janë treguesit sintetikë të këtij regjimi. Ky shtet sot ka ndërtuar një regjim që SHBA, si shteti më i madh i lirisë dhe demokracise e quan serish si një partner i ngushtë!?
Absurde! Partnerët gëzojnë reciprocitet e barazi, gjë të cilën ky shtet nuk e zotëron. Ndaj, edhe si gjuhë diplomatike kërcet, ose është një farsë për përdorim diplomatik burokratësh.
Së treti, rezultati që sollën këto zgjedhje të pabarabarta nuk mund ta forcojë “demokracine” që solli ky rezultat i pavërtetë që ende sot është i paçertifikuar nga instititucionet e njohura me ligj. Ndaj dhe fjala respektim i zgjedhjeve është shumë larg për tu arritur!
©Ylli Dylgjeri
















