Blog

Rezistencë ndaj regjimit apo nënshtrim? Kjo është çështja! - Nga Ylli Manjani

Nuk jam anëtar i PD dhe nuk i jap vetes të drejtë të gjykoj e arsyetoj mbi çështje të brendshme të saj, por, si qytetar i Republikës, më intereson aseti politik me vlerë të jashtëzakonshme PD. Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm politik në Shqipëri.

Ndaj çdo përpjekje për zhvlerësimin e këtij aseti është shërbim ndaj rregjimit të tashmë të konfirmuar të Ramës!

Në këtë kontekst vlen të shihet dhe kontributi i Lulzim Bashës. Mendoj se ai ka bërë goxha punë në krye të PD. Me përvojën që ka fituar tashmë nuk do ia vlente largimi i tij nga PD. Ndoshta ka nevojë për një rikonfirmim por edhe kjo çeshtje i duhet lënë anëtareve e statutit të PD për ta adresuar. Por sa më shpejt...

Interesi publik kërkon një PD të fortë, të organizuar dhe me strategji bashkimi, jo përçarje.

Shkatërrimi i PD = jetëgjatësi e regjimit!

Nuk shoh asnjë alternative tjetër politike më të përshtatshme se PD dhe Lulzim Basha për të drejtuar një Front Rezistence ndaj regjimit.

Demokracia nuk është më thjesht në rrezik, por e goditur rëndë. Ndaj nuk bëhemi më demokratë e as nuk e vendosim demokracinë duke larguar Lulzim Bashën.  Përkundrazi, e bëjmë këtë gjë vetëm duke afruar çdo të palumtur me regjimin.

Në këtë moment nuk shoh alternativë tjetër përveçse: o me rezistencën o me regjimin!

Lulzim Basha dhe PD duhet të jenë në krye të rezistencës, për hir të interesit publik.

Dhe më në fund, të mos shkëpusim vëmendjen se në ç'kohë po jetojmë. Post kriza ekonomike e 2008 ka sjellë si pasojë një Europë politike që jeton në populizëm; një Lindje ka rrëshqitur në autokraci dhe një Amerikë në betejë për tregje...

Ndaj sot është më e thjeshtë të jesh autokrat, populist, apo agjent tregjesh sesa kryetar opozite, aq më tepër në një rrumpallëhane vend!

©Ylli Manjani