Blog

Makinë Pushteti dhe…ca…njerëz - Nga Faruk Myrtaj

Mbase beteja për t'i bërë minimalisht të rrezikshëm Shefat - të gjithë shefat - është e njëjtë kohësisht me përpjekjen për të ndriçuar Turmën, mik.

Kjo, besoj, është çfarë pritet. Sigurisht duhet kohë, duhet edhe ekonomi, ndaj kërkohet shtim dije, kulturë, harmoni arsyeje...

Komunizmi ndaj ishte/është i lig për të gjithë: ndalonte cilësorë të tillë. Edhe kur Dje na thoshin “politika në plan të parë”, ishte mashtrim: po të filloje të merreshe me politikë, e pësoje! Thjesht duhej të bindeshe, të bëheshe Turmë, të mbushje sheshet…

Mjerim që sot e kësaj dite, këta në krye tënë, kur fitojnë, po këtë thonë: Vetëm Partia ime ka qenë në anën e duhur të historisë! Partia ime “e bukura e Dheut”,

Partia ime është makinë, nxiton të thotë Tjetri, pasi i ka shpëtuar duarsh E bukura e Tjetrit! (Edhe kur prej një Partie kanë ardhur, me kuç e me maç!)

Mos o Zot!

Ruaje këtë popull, por ruaje edhe këtë Turmë, mëshiroje, megjithë militantët e secilës brenda. Kaq dinë!

Kur thua “partia ime është MAKINË”, nuk të vjen gjynah që as veten, e as ata pas teje, nuk i do?!

Po sikur të ndodhë hapja e resë së lojës/mashtrimit, dhe ata, të hipurit në të njëjtën makinë me ty, tani për tani, të kuptojnë se hollë-hollë ti nuk i do si njerëz, por veç si burma të makinës me Ty në timon?!

Se, pa mendo për një çast: hipën në atë kolltuk Ai tjetri, makina bëhet e Tija dhe...! …dhe ti sigurisht se thua se kjo është gjynah për të tutë!

Se ti, ndërkohë, ke hequr mënjanë ca zaire për dimrin në opozitë, dhe prapë në parlament, nën Pluhur-Alizëm je, siç ishte dhe është edhe Ai Tjetri…

Por, po ata të zeztë, ata që e mbyllën një sy e një vesh, në mos të dy, ata që u grindën me të ngjashmit përballë, duke i besuar megafonit tënd, megafonit tuaj, ata sërish…mbeten proletarë…

Pa gjë, me duar në xhepa, Proletarë në ekzistencë, me fëmijë pas, me zero liri, me stomakun që për dreq ua mësoi edhe Marksi ekonomist, jo thjesht Gavroshë letrarë të Hygoit (që Ishte NDER Kombi real Ai, nuk heshtte për Çmime Letrare e Shtëpi Muze pa Nder Qytetar), e nderonte edhe fjalën si Ndëshkim ai…dhe zërin e ngjizte për njerëz me veshë te Kambana që binte për të Mjerët e vërtetë…

Makinë Pushteti, thua, si me një gëzim të pashpjegueshëm dot, as kur ke fituar: se ti nuk e rrëfen dot atë veten tënde tjetër, që në fundet e ’80-ës, pra në fillimet e ’90-ës, birbilosje kundër, deri në tepri, tmerrisht kundër këtyre që u rri në majë tani dhe të binden si Atij Qoftëlargut që kush më shumë se ti nuk e mallkoi?!

A thua se është e mundur, në shoqëri me liri të sado-paktë, që të mbetesh vetëm ti në krye! A thua nuk u rrotulloka kjo dynja/botë?! A thua se as edhe vetë Fjala Pluralizëm u trishton, jo më ta nderoni e ta shpallni të shenjtë, ta shpallni e ta nderoni si të tillë: se vetëm kështu është e vlertë për të gjithë…

Nuk e thoni dot se ish-antarët e thjeshtë të Partisë dhe ish-të persekutuarit e asaj kohe, këta ishin dhe janë të persekutuarit realë të kësaj shtrese politike që ju i bëni rreshtore, në vend numëro këtij populli e këtij Atdheu…

Nuk e mendon, vallë, se vjen Ai Tjetri/që mund të bëhet si Ti, dhe si i tillë të ulet në kolltukun cinik të pushtetit tënd diellor…Ka radhën Ai, të luajë me ta…me turmën që sot mbush sheshet kombëtare për ty…

Bëhu Njeri, sa më shumë, sa të jetë e mundur më shumë, o njeri!

O njerëz, nuk është e thënë të bashkohemi. Le të afrohemi, për gjëra sa më humane...

KERKOJUNI t’u kthejne sado pak pronë, aq pak liri fjale dhe dinjiteti sa të keni mundësi të vendosni vetë të ikni prej tyre, të rrini mënjanë apo të bashkoheni me tjetrin prej tyre, pa ia dorëzuar shpirtin tuaj Makinës…

©Faruk Myrtaj