Trishtimi i gjërave të bukura - Nga Çapajev Gjokutaj
Sot në mëngjes, ulur në një nga stolat e parkut shihja lojën e vesës me rrezet e para të diellit. Pikat e vesës mbi bar herë ndriçonin e herë mekeshin, se qielli ishte me re dhe dielli dukej e zhdukej.
M’u kujtua se edhe në fëmijëri, jo rrallë më ngashënjente rrezëllimi lojcak i vesës mëngjeseve. Dhe pata ndjesinë se edhe atëhere provoja kënaqësi përzier me një trishtim të lehtë.
Vetëm se sot trishtimin e ndjekam më shumë, thashë me vete. Doemos, shtova, trishtohesh për fëmijërinë e dikurshme, për kohërat që ikën e s’vijnë më. Mbase kanë pjesën e vet edhe kufizimet e një viti e ca pandemi.
Por më pas, si e kisha lenë stolin e po ecja rruginës, nisa të dyshoj se trishtimi i rasteve të tilla nuk është për kohën e perënduar. Përkundrazi nis e rigon sa herë ndeshim gjëra shumë të bukura.
Duket paradoksale. E bukura mund të të ngazëllejë, të të gëzojë, të të bëjë me krahë dhe të ndihesh në ekstazë. Por duket e pamundur që gjëja e bukur të të trishtojë.
Ndërkohë më ishte kujtuar trishtimi i atij djaloshit në tregimin ‘Bukuroshet’ e Çehovit kur, në rrugë e sipër me të gjyshin, ndesh armenkën e bukur perí.
Kur u ktheva në shtëpi i hodha një sy tregimit.
Përbri saj, thotë djaloshi çehovjan, ndjeja magjinë e bukurisë. Nuk ishte dëshirë, as ekstazë, as drithërimë gëzimi. Ishte një trishtim brejtës e megjithatë i bukur.
Më vinte keq për vete dhe për të, vazhdon djaloshi. Mbase trishtohesha nga që kjo bukuri s’më përkiste mua. Ose mbase nga që ndjeja turbull se bukuria e saj e rrallë ishte e përkohëshme dhe ikanake. Po ku ta dish, mbase trishtimi im ishte pjesë e ndjenjës së veçantë që ngjallet tek njerëzit, kur kundrojnë bukurinë e vërtetë.
Si lashë Çehovin m’u kujtua krahasimi popullor ‘e bukur si pikë loti’. S’e ka patur thjeshtë me transparencën dhe ndriçimin, hamendësova.
Dhe si ai briri i largët në simfoninë e Bethovenit më erdhi vargu elegjiak i Fatos Arapit ‘Atdheu yt i vogli, i vogli,/ Ai hyjnori, i pavdekshmi - loti’.
©Çapajev Gjokutaj



















