Blog

Sot prioritet i prioriteteve është valorizimi i votës të lirë - Nga Elida Buçpapaj

Disa ditë më parë ironizova ISHËT dhe të pakënaqurit e Lulzim Bashës, ata që për inatin e vjehrrës shkojnë e flenë me mullixhiun dhe tradhtojnë “dashurinë e jetës”, në rastin tonë PD.

Të gjithë ata që kanë votuar PD më 22 Marsin e 1992 janë tradhëtuar nga PD, i madh e i vogël me në krye të përndjekurit. Ne kërkuam të gjithë një Shqipëri si gjithë Europa, sot Shqipëria është si Kolumbia. Janë 3 milionë Shqiptarë të ikur, që shajmë e mallkojmë PD se na mashtroi, por kur vjen puna për të votuar nuk ka dilemë, sikur e parashikonin edhe patronazhistët, midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, votën e japim për PD!

Për PD më 25 Prill kanë votuar edhe me dhjetëra mijë simpatizantë të PS, sepse Edi Rama ka mbjellë në Shqipëri tërmete, kiamete, pandemi, padrejtësi, varfëri, monizëm, banda, mafie…

Të pakënaqurit dhe ISHËT janë të zemëruar me Lulzim Bashën se ky ua mori pushtetin që atyre ua kishte dhuruar Berisha, pra dashuria me PD lidhet me kolltukun, privilegjet, rrogat e larta, prandaj shajnë nëpër TV apo krijojnë me demek parti si Jozefina Topalli apo Astrit Patozi.

A i patë si përfunduan Topalli me Patozin? Shanë sa mundën Bashën, i dolën në krah Edi Ramës dhe votuesit i dënuan.

Jozefinës i janë vënë në dispozicion të gjitha ekranet, prej 2017 e deri më 23 Prill 2021, por ajo e mohoi dhe e bëri hasha dashurinë e saj për atë parti që e bëri kryetare parlamenti.

Jo se nuk kanë të drejtë ta sulmojne Lulzim Bashën, por jo tani, aq më tepër kur “drejtësia” e tyre niset nga interesi vetjak, e duan partinë sepse duan poste, ndërsa shqiptarët e votojne PD sepse e lidhin me ëndrrën e tyre për demokracinë dhe lirinë për të gjithë.

Janë të vërteta të gjitha, se PD ka përjashtuar, se PD ka tradhëtuar, se PD i ka larguar njerëzit, se PD i ka mbajtur larg figurat me integritet, se PD ka ngrënë me keqqeverisje veten e vet, e ka futur në shtratin e Prokrustit.

PD i duhet bërë një gjyq për ta shëruar, por jo sot, sot është prioritet i prioriteteve beteja e votës së lirë!

Nuk ka dyshim se Edi Rama me patronazhistët, me database, Ballat, Veliajt, Gjiknurët, bandat, Policinë e Shtetit e ka vjedhur votën e lirë, prandaj kush e do vërtetë PD, kush e ka lidhur partinë me primatin e demokracisë, le t’i bashkohet PD dhe opozitës! Të gjithë, pa llogaritur, se po japin këtë kontribut sot, për të fituar nesër një post!

Nëse fiton vota e lirë, shanset hapen për të gjithë, sepse Shqipëria është një minierë ari, me burime të pashtershme natyrore. Por mjaft dolët nëpër TV duke e sharë Lulzim Bashën, sepse i shërbeni Edi Ramës dhe diskreditoheni. Opinioni iu vë vizën, sepse askush prej jush nuk është si Angela Merkel, zbulimi i Helmut Kohl.

Nuk diskutohet se PD duhet të hapet, se PD duhet të heqë dorë nga përfshirja në lista e kryetarëve të partive pa elektorat, se duhet të heqë dorë nga xhaketat e vjetra, sepse politika është arti i të qeverisurit, jo bashkësia e atyre që nuk kanë fije morali, sikur thote Makiaveli.

Në Shqipëri ka krizë politike dhe kjo për fajin e të gjithë kastës me në krye Edi Ramën, kryerrezikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e përvetësoi votën e popullit dhe për këtë duhet të largohet.

Do ta shpëtojmë Shqipërinë apo do ta lemë në duart e një banditi? Do mbajmë anën e Shqipërisë apo të diktatorit?

Dante thosh se “vëndi më i zi në skëterrë u rezervohet atyre që qëndrojnë neutralë në kohë të krizës morale”. Në Shqipëri ka krizë morale, krizë politike dhe kush qëndron asnjanës apo bën teatër amatorësh nëpër ekranë, hyn në zonën që ka rezervuar për ta autori i Komedisë Hyjnore.

Partia Demokratike nuk është lopë për ta mjelë. O sot, o kurrë jepni më në fund diçka vullnetarisht; pa llogaritur interesin, llogarisni një herë interesin e të gjithëve, sidomos të pensionistëve, rinisë dhe fëmijëve që u keni lënë një Shqipëri të krijuar mrekullisht nga Zoti dhe të kthyer në Tokë e Djegur.

Është çështje kohe, Shqipëria do t’i ketë liderët e saj të rinj, do t’i ketë edhe partitë e saj dhe kjo kohë do të kujtohet për ata që do t’i dalin vendit të tyre sot në krah.

©Elida Buçpapaj