Blog

Shqiptarët, sehirxhinjtë e retorikës së luftës personale - Nga Ilir Levonja

Nisma për shkarkimin e Presidentit të Republikës është një nga gjërat më të panevojshme për shqiptarët. Eshtë e tillë pikë së pari, pasi nuk është çështje e tyre. Shqiptarëve nuk u ndodh gjë, as për mirë e as për keq. Në fund të fundit nuk e zgjodhën ata, ky është tashmë ai ekuivok social që deri në 2012 sillte ngërç politik për shkak të numrit 84. Pra deri para viti 2012 duheshin 84 vota, që dmth, edhe nga opozita.

Me një fjalë synimi ishte dalja në pah e një kandidati qoftë ky burrë a grua, i cili ofron consensus a besim midis kampeve, gjë që mund dhe të reflektonte në shoqëri. Madje i shkonte shumë për shtat edhe statutit presidencial në lidhje me unifikimin e palëve në pergjegjësitë shtetërore. Kosova përshembull e ruan edhe sot. Me këtë model zgjodhi Presidenten Vjollca Osmani, një nga kanditaturat më të votuara në zgjedhjet e përgjithshme. Shqipëria e ndryshoi në 2008 pas ngërçeve të shumta parlamentare, jo vetëm nga emrat por edhe nga paaftësia shqiptare në lidhje me bashkëpunimin sidomos kur bëhet fjalë për kombin.

U ndryshua me iniciativën e PD dhe mbështjen e PS. Kësisoj në 2012, me një shumicë të thjeshtë, pra 73 vota i sollën Shiqpërisë të parin President puro partiak Bujar Nishanin. Në 2017, tashmë me shumicë të konsoliduar të majtë, sollën Ilir Metën, Presidentin aktual. Pra Ilir Meta ashtu si paraardhësi i tij Bujar Nishani, nuk ka se si të përfaqësojë gjithë shqiptarët. Shqiptarët do t'i përfaqësonte një President i cili të mund ta zgjidhnin vetë. Megjithëse që nga dalja e opozitës nga parlamenti, Meta ka bërë opozitën reale, por në të njejtën kohë edhe lojëra politike po si ato të Edi Ramës, Bashës, Sali Berishës etj.

Spektaklin më të madh duhej ta luante opozita parlamentare aktuale. Për më tepër që shumë nga ata edhe nuk fituan as votat minimale të kalimit të pragut elektoral. Akoma kur duket krejt bizarre se si mundet një parlament logjikisht i vdekur për shkak të zgjedhjeve të reja, të ndërrmarrë nisma të tilla, kur vendi ka nevoja imediate si punësimi, rritja e pagave, riparimi i dëmeve nga tërmeti, pandemia etj., të merret me shkarkimin e Presidentit të Republikës. Pra shërbimin më të madh që mund t'i bënin vendit, do ishte dorëheqja nga mandati personal por i krizave kombëtare.

Këtë ata nuk e bëjnë. Ndaj sot shqiptarët janë të detyruar të dëgjojnë, të njëjtën retorikë. Atë të luftës personale të emrave me emra, jo të politikanëve që i shërbejnë vendit. Që të shkarkohet sot Ilir Meta është e pamundur, për shkak të proçedurave deri në Gjykatën Kushtetuese, pra një vit humbje kohe me luftë nervash, fjalësh, e emrave nga emrat. Ku në këtë tabllo shqiptarët janë ca sehirxhinj a tifozë të thekur palësh, por jo të vetes.

Por edhe nëse Ilir Meta shkarkohet, shqiptarëve nuk u ngrihen rrogat, nuk u përmirësohen kushtet e jetesës, nuk u vjen uji 24 orë. Pastaj Ilir Meta sikur do vetëshakrkohej nëse fitonte Edi Rama. Tani sapo filloi lojën hap kutitë si Edi Rama dikur. Shqiptarët asgjë, do mbeten prapë ca sehirxhinj të denoncuesit dixhital, kush ka dhe kush nuk ka të drejtë, ndërkohë që jo më fëmijët e tyre, por nipërit e mbesat do vazhdojnë të shikojnë të njëjtën tablo emrash, me të njejtat mjete, me të njejtën strategji fyerjesh e sharjesh, por që pavarisht gjithçkaje ata ishin, ata janë, ata do të mbeten aty. Kurse ju, aeroporteve, porteve, metrove, veç me tungjatjeta malli, o shqiptarë!

©Ilir Levonja