(Para)politika e Prishtinës dhe Gjykata Speciale e Kosovës - Nga Enver Robelli
Gjykata Speciale është institucion i Kosovës, është themeluar me vendim të parlamentit, me vota të PDK dhe LDK, mes të tjerash. Çdo qytetar i Kosovës është i obliguar me ligj të bashkëpunojë me këtë gjykatë. Kjo është e verteta, të tjerat janë vetëm pallavra për intriga kafehanesh të Prishtinës. Kush mendon se me intriga, parulla e propagandë bajate u ndihmon të akuzuarve, është vetëm manipulues dhe mund t'i demtojë pikerisht të akuzuarit.
Gjykata, në radhë të parë, është themeluar për viktimat. Askush me dy kokrra mend në kokë nuk mund ta mohojë se ka pasur viktima. Siç e ka thënë ish-presidenti Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB në New York, "nuk perjashtohet" mundësia që ndonjë pjesëtar i UÇK të këtë keqpërdorur uniformën.
Duhet të behet dallimi mes individëve që mund të kenë bërë ndonjë shkelje dhe lëvizjes çlirimtare, të cilën e ka legjitimuar Perëndimi me ndërhyrjen ushtarake që solli çlirimin e Kosovës, pa mohuar sakrificën mbinjerëzore të vajzave dhe djemve që me armë luftuan të keqen.
Për 20 vjet shoqëria e Kosovës ka dështuar të ndriçojë krimet për të cilat flitet, shkruhet e pëshpëritet nga parlamenti deri te lokalet më provinciale në Kosovë. Bash për këtë arsye është themeluar Gjykata Speciale.
Shoqeria e Kosovës tani duhet të tregohet e pjekur dhe të mos i kushtojë vëmendje luftës speciale të (para)politikës. Fushatat e (para)politikës vetem i japin argumente Gjykatës Speciale dhe partnerëve të Kosovës në Perendim se në Kosovë sundimi i ligjit për të gjithë mbetet ende cak i largët.
Me aktin e dorëzimit të tyre Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, kanë treguar pjekuri të lartë politike dhe përgjegjësi ndaj ligjit e shtetit. Tentimi i (para)politikës që betejën e tyre në Hage ta shndërrojë në betejë brenda shoqërisë kosovare, është veprim i shëmtuar që mund t'i kushtojë edhe Kosovës, edhe të akuzuarve.
©Enver Robelli




















