Blog

Cili Arben Imami ngre gishtin kërcënues? - Nga Elida Buçpapaj

Ish-presidenti i Shqipërisë nga PD, por jo i zgjedhur me votë popullore, bashkë me 6 ish-funksionarë të tjerë të PD-së, prezantuan dje lëvizjen “Për PD”. Pothuaj të gjithë, një plus të gjashtë, janë të emëruar të Sali Berishës.  Asnjëri prej tyre nuk e ka provuar votimin. Dmth sa i vlen lëkura, thotë populli. Pra, e kanë marrë postin të dhuruar në tabaka. Edhe kjo mund të quhet normale, sepse fituesi e zgjedh vetë skuadrën me cilën do të qeverisë.

Në kohën kur Edi Rama kërkon tym për të mbuluar vjedhjen, Grupi Pronto një plus gjashtë, kërkon dorëheqjen e Bashës. Ata nuk denoncojnë vjedhjen e votës së lirë nga halldupi uzurpator, që e ka tjetërsuar vullnetin e sovranit, përkundrazi ndihen të lumtur! Nuk kanë asnjë mllef me Edi Ramën, sulltanin diktator, përkundrazi mllefin e kanë me Lulzim Bashën, që nuk i përfshiu në lista deputetësh!

Ka tridhjetë vjet që PD është një fushë betejë klanesh. Kur kanë parë që Berishën nuk kanë mundur dot ta nxjerrin nga loja, i janë ngjitur si zamk apo sikur thotë ajo tjetra fjalë e urtë popullore, që për respekt të lexuesit nuk po e sjell këtu.

De facto, grupi i një plus gjashtë të mllefosurve nuk e krijuan dot partiçkën e tyre, se nuk janë aq budallenj, që ta pësonin sikur ata që i formuan.

Grupi i një plus gjashtë nuk u revoltuan kur ishte puna për sistemin zgjedhor të deformuar nga parlamenti monist, kur Edi Rama ia mohoi të drejtën opozitës për koalicion para zgjedhor që e zhvleftësoi votën, edhe votën e partiçkave.

S’ka asgjë të keqe nga pluralizmi. Përkundrazi ka veç të mira. Po të numërohen të gjitha votat e opozitës, me të partiçkave, plus 83 mijë votat e klasifikuara të pavlefshme, mos llogarisim vjedhjen e database ku PS numëronte në kohë reale votimin, fitorja do të ishte e opozitës!

Prandaj grupit një plus gjashtë, nëse u digjet zemra vërtetë për shtetin e së drejtës dhe PD-në nga e cila volën pushtet e lluks sa deshën, do të duhej që të gjithë të ishin bashkë me opozitën. Një herë në jetën e tyre vullnetarë pa pagesë për të mirën e Atdheut.

Dhe kur PD me aleatët të fitonte më 25 Prill 2021, atëhere t’i kërkonin llogari Lulzim Bashës dhe në Korrikun që vjen pas dy muajsh, PD të bënte zgjedhje me garë “free and fair” për një lider kush ta meritonte.

Të gjithëve dje na bëri përshtypje shfaqja e Arben Imamit, agresiv dhe i egër, sikur po luante rolin e një ish-Sigurimsi të Shtetit. Nga video dëgjojmë se dikush nga tavolina i rekomandon të “qetësohet” - por Arben Imami ngre gishtin tregues dhe kërcënon jo Edi Ramën, ku ta gjenim, por kryetarin e PD-së, dmth opozitën.

Dhe opinionit publik i lind pyetja:

Me cilin Arben Imami ka të bëjë gishti tregues? Me atë të ish-Aleancës Demokratike, që i doli PD në opozitë menjëherë prej 1992? Me ish-Ministrin e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin, ish-Ministrin e Drejtësisë dhe ish-Ministrin e Pushtetit Vendor të PS, ardhur në pushtet me luftë dhe dhunën e bandave të Zani Çaushit më 1997? Me ish-këshilltarin dhe ish-Drejtorin e Kabinetit të Kryeministrit Berisha dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes të PD-së prej 2005 deri më 2013? Arben Imamin me grupin e një plus gjashtë të mllefosurve apo qytetarin e thjeshtë të cilit i intereson demokracia si e mirë e gjithë shqiptarëve, pavarësisht klaneve, militantëve dhe bindjeve politike?

Cilido qoftë profili që ka zgjedhur kësaj here, puna e tij! Por tonet kërcënuese t’i ulë, edhe gishtin tregues ta ulë! Ose më mirë atë gisht t’ia tregojë vetes!

©Elida Buçpapaj