Në arenën ndërkombëtare Kosova duhet të flasë me një zë - Nga Enver Robelli
Asnjë parti apo koalicion, pa marrë parasysh sa vota fiton, nuk mund ta bartë vetëm barrën e dialogut dhe marrëveshjes eventuale me Serbinë. Kosova i ka humbur 10 vjet me polarizime e polemika mes partive që kanë helmuar e ndotur debatin publik dhe kanë rrënuar mirëbesimin minimal mes rivalëve në skenën politike. Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë!
Qeveria dhe kreu i saj duhet të përpiqen me ngulm për të krijuar ura bashkëpunimi me opozitën lidhur me dialogun. Opozita duhet të bëjë dallimin mes betejës së brendshme politike dhe betejës për Kosovën në arenën ndërkombëtare sa i përket dialogut. Rrjedhimisht, është urgjentisht e domosdoshme që të ndahen këto dy çështje.
Në arenën ndërkombëtare Kosova duhet të flasë me një zë dhe bazuar në konsensusin e arritur paraprakisht mes të gjitha partive politike. Po nuk ndodhi kjo, Kosova rrezikon që ta humbë edhe dekadën e ardhshme me ngatërresa lokale. Rezultatet e çdo suksesi në dialog do t’i gëzojnë të gjitha partitë, votuesit e tyre dhe të gjithë qytetarët. Nga ana tjetër, faturën e çdo dështimi do ta paguajnë të gjithë!
Dhe të gjithë duhet ta kuptojnë se Kosova do të merret seriozisht si shtet nëse në procesin e dialogut hyn me ekip të përgatitur mirë dhe jo me grupe kaotike pa ide, pa synim e pa qëllim të qartë. Dialogu nuk do të jetë i lehtë. Dialogu do të ketë efekte negative nëse politikanët e Kosovës, të shtyrë nga inatet primitive, do të përlahen si gjelat.
©Enver Robelli





















