Blog

SPAK, padrejtësia e “kurorëzuar” e drejtësisë së re - Nga Ilir Gjini

Në punën time si gazetar jam përballur shpesh me vendimet anakronike e abuzive të drejtësisë, si gjoli më problematik dhe i korruptuar, i fshatit tonë të madh Shqipëri.

Mes shumë hallexhinjve që dergjeshin prej vitesh në dyert e gjykatave me vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave e hartat kadastrale në duar, më la mbresa një grua plakë në të 80-at, që prej vitesh e shikoja në oborrin e Gjykatës së Shkallës së parë e atë të Apelit të Gjirokastrës e Sarandës.

Kishte gati 10 vite që sorollatej në dyert e gjykatave për të marrë pronën e saj (si ish-pronare), në bregdetin e Sarandës. Çuditërisht prona e saj u qe shitur nga Bashkia Sarandë edhe dy qytetarëve të tjerë. Kur pronarja e ligjshme qe ankuar te Kryetari i Bashkisë Sarandë, ai me qesëndi i kishte thënë: Atë që është bërë, unë nuk e çbëj dot. Meqë figuroni tre “pronarë” për të njëjtën tokë, bëni një godinë të përbashkët, që të gëzoni nga një kat secili?!

Fytyra e rrudhur e plakës dhe ato të mjaft hallexhinjve, më shkuan nëpër mend kur me mjaf bujë u kurorëzua elita e drejtësisë së re SPAK dhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Peshqit e mëdhenj, oligarkët, pushtetmbajtësit e korruptuar, do t’i kishin të numëruara orët e fundit në liri. SPAK po “farkëtonte” në kudhrën e ligjit prangat, që do t’u shtrëngoheshin në duar, gjithë të korruptuarve të paprekshëm.

Kurorën “mbretërore” elitës së drejtësisë së re, ia vuri vetë Ambasadori Lu, ndërsa Ambasadorja Kim, po nxiton t’i japë kësaj kurore një llustër me bojë ngjyrë ari, që shqiptarët mos shohin ndryshkun në metalin kallp të saj.

Me dhjetra denoncime flenë të pashqetësuar në sirtarët e SPAK. Madje më keq se kaq. Pas hetimit të tenderave abuzivë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes ku artikujt qenë blerë me çmim disa herë më të lartë se tregu ndërkombëtar, SPAK u mjaftua me disa këshillime të tipit: “Qortim Shoqëror”.

Njësoj si në socializëm, kur ndonjë fakir kapej me dy kallinj misri të “vjedhur”. 2.000 lekë të vjetra, ishte masa e “vjedhjes” në socializëm që tolerohej nga regjimi, për të mos provuar qelitë e burgut. Sot me metrin e drejtësisë së re, kjo shumë e tolerueshme shkon “up to 2 milion $”, kur bëhet fjalë për pushtetmbajtës.

Para krijimit të SPAK, kishim Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda që pati guximin të përgjonte edhe sekserët e blerjes së votave në Dibër. Madje kjo gjykatë, dënoi me burgim të përjetshëm edhe kriminelë të tipit Dritan Dajti. Kurse SPAK-u i sotëm, megjithë denoncimet e opozitës për blerje votash, as që ka ndërmend të shfaqë, qoftë edhe një shenjë drejtësie.

Në vend të serverit të E Albania të pushtetit, SPAK zgjedh serverin e Lapsit. Hallexhinjtë përfshirë opozitën, do vazhdojnë të enden në dyert e gjykatave, kurse padrejtësia e “kurorëzuar” e drejtësisë së re, do krekoset para tyre me kurorën kallp të ndryshkur, të shitur për ar nga Ambasadorët, duke iu servilosur pushtetit!

©Ilir Gjini