Blog

Shqipëria dhe dy shembuj demokracie funksionale në Québec - Nga Prend Tanushi

Demokracia është një koncept shumë i gjerë dhe jo aq i lehtë për t’u kuptuar dhe aplikuar. Këtu ku unë jetoj, kam patur fatin e mirë të shikoj në mënyrë konkrete se funksionon mekanizmi i sistemit demokratik. Unë jam një qytetar i thjeshtë, nuk kam ndonjë post qeveritar dhe public, por e ndjej veten sikur çdo ditë marr pjesë në drejtimin dhe ndërtimin e kësaj shoqerie ku jetoj.

Këtu qeveria është një mekanizëm publik që i shërben shoqërisë çdo ditë, populli është opozita e vertetë, kurse opozita zyrtare janë partitë e tjera parlamentare që i bëjnë oponence qeverisë për t’i vënë në dukje gabimet, premtimet e parealizuara dhe objektivi i tyre është që të marrin pushtetin.

Populli, pra opozita e vërtëtë i bën oponencë pushtetit nëpëmjet mediave, (tv, gazeta, radio, mediat sociale) dhe ka qëllim të vetëm marrjen e sherbimeve sa më të mira nga qeveria. Populli shprehet direkt për shqetesimet e perditshme dhe i kerkon llogari kryeministrit dhe ministrave nëpermjet linjave teë hapura e të drejpërdrejta për problemet e përditshme në lidhje me sigurinë, shëndetësinë, arsimin apo ekonominë në përgjithësi. Ministrat janë shpesh prezent në media dhe përballën me shqetësimet e qytetarëve duke dhënë zgjidhje konkrete.

Në mënyrë sistematike, jemi të informuar për çdo gjë, prandaj na duket sikur jemi pjesë e zgjidhjeve të problemeve të ndryshme në të gjithë nivelet e pushtetit. Populli gjithashtu gjykon duke konstatuar nëse qeveria nuk realizon ato çfarë ka premtuar në programin elektoral apo nuk ka zgjidhur problemet e paparashikuara gjate mandatit. Populli jep verdiktin e vet n zgjedhje nëpërmjet votës së lirë, duke pasur si opsion, partinë në pushtet dhe partitë e tjera në opozitë.

Kam dy shembuj të freskët për të ilustruar demokracinë e pranueshme dhe funksionale.

1) Këtë javë një urë që lidh Perëndimin me ishullin e Montrealit u mbyll për arsye sigurie. Në atë urë kalojnë 90 mijë automjete çdo ditë. Në fakt një grup pune, i drejtuar nga inxhinierët përkatës, i kishin bërë përforcimet e urës në muajin Prill, por nga një gabim njerëzor, ato punime kishin deshtuar. Tani nuk u mor kush me ata që kanë bërë gabimin dhe as me ata që kishin pasur pushtetin më parë, meqë ura ka shume vite që është me probleme, por u morën me zgjidhjen e problemit. Për këtë, ministri i Transportit çdo ditë, nëpërmjet komunikimeve në media jep shpjegimet e zgjidhjes së problemit, duke detajuar të gjitha punimet, me transparencë të plotë në sy të gjithë popullatës, me të dhëna të caktuar kur hapja do të bëhet në mënyre progresive. Në fillim një korsi pastaj dy dhe vetem pas nje muajt të tre korsitë do kenë funksionim të plotë. Qytetarët shprehën me të drejtë zemërimin dhe shqetesimin e tyre, por e gjetën zgjidhjen.

2) Gjatë fillimit të periudhës së pandemsë Kryeministri jepte konferenca shtypi çdo dite me ministrin e Shendetesise dhe Drejtorin e Shëndetit Publik të provincës, informonte me detaje dhe transparencë të plotë, bënte bilancin e përditshëm dhe njoftonte masat që merrte duke u konsultuar gjithnjë me specialistë të shëndetësisë.

Vala e parë e pandemisë ishte katastrofike. Ajo nxorri në pah mangësitë e sistemit shëndetësor. Qeveria mori shumë kritika nga të gjitha shtresat shoqërore. Qeveria e pranoi dështimin, nuk akuzoi kurrë partitë e tjera që kishin pasur pushtetin më parë (mazhoranca aktuale nuk ka qenë në pushtet më parë), por u angazhua më shumë duke informuar qytetarët çdo dite, duke iu lutur atyre që të zbatojnë masat kufizuese, njëkohësisht edhe duke i falenderuar çdo ditë për qëndresën dhe durimin.

Në fund të valës së parë, Kryeministri liroi nga detyra dhe e zëvendësoi Ministrin e Shëndetësis. Ndoshta nuk ishte faji i ministrit, por fakti që pati shumë kritika dhe performanca e dobet e justifikuan një vendim të tillë.

Në valën e tretë nga provinca me performancë më të dobët në Kanada, Québec rezultoi provinca me performancën më të mirë, dhe kjo nuk erdhi vetvetiu, por ishte rezultat i një pune intensive dhe i vendimeve të drejta që u morën.

E bëra këtë përshkrim për të kuptuar si funksionon demokracia e vërtetë këtu ku jetoj, pra raporti midis të zgjedhurit dhe zgjedhësit, (zgjedhësit jane “bosi”, të zgjedhurit janë shërbyesit). Tani mund ta bëni krahasimin veteë në rastin e Shqipërisë. Atje nuk merret kush me performancën e qeverisë dhe të Kryeministrit.  Nëse i ka realizuar apo jo premtimet elektorale, nëse fushata elektorale ishte e rregullt, nëse votimet ishin normale, pa vjedhje, pa blerje, pa kërcënime, por merren me kryetarin e opozitës dhe ish-kryeminstrin.

Nëse qeveria nuk ka qeverisur mirë duhet që ta rrëzojë populli me votë dhe jo kryetari i opozitës, (nëse ky i fundit ka faje në humbjen e zgjedhjeve, ai do japë llogari tek partia e tij, jo tek populli) dhe nëse do merreni me gjykimin e ish-kryeminstrit nuk rregulloni ndonjë problem, pra nuk do të keni më shumë punë, më shumë siguri, më shumë shërbime mjekësore dhe më kryesorja, nuk do të keni zgjedhje normale, votë të lirë.

Themeli i çdo demokracia është vota e lire. Nëse ajo cënohet, asnjëherë demokracia nuk do të funksionojë normalisht, përkundrazi do të jetojmë gjithmonë në anarki.

Mendoni një shtëpi që nuk ka themele. A mund të qëndrojë ajo në këmbë?

©Prend Tanushi