Blog

Shërbimi i fundit i kllounadës parlamentare - Nga Ilir Gjini

Karrigeshqyerit e Parlamentit që sot quhen “opozitarë”, janë në sprintin e fundit të shërbimeve ndaj madhërisë se tij shtatlartë e pushtetzgjatur, “faronit” Rama. Në Egjyptin e lashtë, faraoni quhej zot i qiellit dhe i tokës. Në vilajetin tonë që me shumë mund kërkojmë t’i bashkohet familjes europiane, quhet Kryeministër.

Mediat qeveritare ku spikasin TV-të kombëtare, janë vënë në garë për të na magjepsur me cilësitë “hyjnore” të Faraonit. Kllounada opozitare në parlament që sot ka zëvendësuar “Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, po bën shërbimet e fundit para skadencës së mandatit. AMA, Këshilli Drejtues i RTSH-së dhe qershia mbi tortë, shkarkimi i Presidentit Meta. Madje disa prej përfaqësuesve të kllounadës, e kanë cilësuar Presidentin Meta si të sëmurë psiqik. Çudi!

Sot e mësuam që nga opozita parlamentare, kishte edhe deputetë me profesionin mjek psikiatër. Fjalimet e tyre, do të mbahen mend gjatë. Madje disa prej tyre, pse jo, do të hyjnë në histori. Gjithçka është e mundur, tani që historia do rishkruhet. P.sh. Selami Jenisheri deklaroi se ai e kishte futur Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?! Kujtim Gjuzi përfaqësonte “Organizatën e Atlantikut” pasi prej 35 vitesh mban në dore një orë “Atlantik”?! Kristaq Papa kishte rrëzuar diktaturën komuniste, pasi i qeraste të dashurat e tij me whisky?! Qershia tjetër mbi tortë, deputetja elokuente që zëvendësoi Bashën, Majlinda Halilaj, do hyjë në rekordin shqiptar “Guinness”, si shpikësja e “Kërpëratës”.

Presidenti Meta që është treguar ca dorëlëshuar me dhënien e dekoratave, nuk duhet ta mbyllë mandatin, pa dekoruar edhe kllounadën opozitare parlamentare. Selami Jenisheri, meriton titullin e lartë “Shërbëtor i Madh”. Më falni, “Mjeshtër i Madh”. Kujtim Gjuzi, “Atlantik i Madh”. Kristaq Papa, “Kalorës Whisky i Madh”. Majlinda Halilaj “Shpikësja Kërpërata i Madh”! Myslim Murrizi, “Shkallmues Kushtetute i Madh”.

Presidenti Meta nuk duhet të harrojë edhe Ambasadorët. Donald Lu, “Rrjetëgrisur i Peshqve të Mëdhenj i Madh”. Yuri Kim, “Patronazhist i qeverisë i Madh”. Ëmbëlsira për në fund. Lulzim Basha, të paktën meriton titullin “Kryetar i PD përjetësisht në OPOZITË i Madh”! Kapiteni i anijes gjysëm të mbytur PD, nuk pranon ta lëshojë postin e tij, megjithëse ka humbur busullën e orientimit drejt “Ishullit të Pushtetit”. E pse ta lëshojë? Veten dhe të 59 ndihmësit e tij deputetë, i ka të siguruar në varkën parlamentare të shpëtimit. Përkrahësit e tij që në tetë vite e përkrahën, i shërbyen, tani i braktisi në detin e trazuar të regjimit. Më i zoti, të shpëtojë kokën.

Një Faraon i fuqishëm i Egjyptit, i cili nuk po gajasej më me shakaktë e bufonit të tij të oborrit, teksa dëgjonte lutjet e një fatkeqi që i përgjërohej t’i falte jetën (pasi kish gjuajtur në pyll), vendosi ti jepte një shans. “Do ta fal jetën nëse do mund të më bësh për të qeshur” - i tha Faraoni. Qyqari që priste egzekutimin, teksa mendonte se si ta bënte për të qeshur Faraonin, kafshoi nga sikleti gjuhën, që filloi t’i rridhte gjak. E ndërsa imitonte gomarin, kur filloi të pëlliste, nga goja i rrodhi një curril gjaku. Faraoni filloi të qeshte. “Kurrë nuk kam parë një gomar që pëllet, ndërsa nga goja në vend të jargëve, nxjerr gjak”?!

A do ta zëvendësojë opozita e 25 Prillit, kllounadën e sotme në Parlament?

P.S. Gojët e liga thonë që opozitarët e parlamentit, para miratimit të ligjeve, takohen te lokali i Edmond Bengos. Të kenë gjetur aty, zarfat e “udhëzimit” për të ngritur kartoni pro?

©Ilir Gjini