Shkrimtarët dhe politika - Nga Lazër Stani
Kur shkrimtarët ftohen në politikë, natyrisht që ftohen për nevojat e politikës, jo për interesat e shkrimtarit. Në kohë të caktuara, politikës i është dashur imazhi publik i shkrimtarit, simpatia dhe adhurimi që lexuesit kishin për emrin e tij. Kjo është praktikuar sidomos në komunizëm, por edhe nga partitë që u krijuan pas viteve nëntëdhjetë. Megjithatë, pas viteve dymijë, shkrimtarët u lanë jashtë politikës. Nuk u duheshin më njerëz që merrnin vota me imazhin dhe qëndrimin e tyre publik, po biznesmenë dhe njerëz me para që blenin vota. Është koha kur procesi elektoral degradoi në shit-blerjes së votes. Shkrimtarët jo vetëm u lanë jashtë vemendjes së politikës, por edhe të opinionit mediatik të kontrolluar nga politika.
Por shkrimtarët shqiptarë kanë një traditë të hershme të marrjes me politikë dhe kanë një kontribut të veçantë në krijimin e kombit dhe të shtetit shqiptar. Dëshmitë e shqipes së shkruar janë vepër e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, Rilindja Kombëtare, gjithashtu është punë madhore e shkrimtarëve aq sa unë e kam thënë edhe herë tjetër se Kombi Shqiptar është një komb i krijuar nga shkrimtarët idealistë, pas asaj trysnie të madhe që krijoi pushtimi shumëshekullor Osman. Në vitet tridhjetë kemi emra të njohur të letërsisë që janë aktivë në politikë si deputetët Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, apo Faik Konica, Fan Noli e shumë të tjerë. Mendoj se nga pjesëmarrja e tyre në politikë ka përfituar Shqipëria, jo ata vetë.
Shkrimtari, si qenie njerëzore, ka ndjeshmëri të lartë ndaj lirisë, padrejtësisë dhe vlerave humane. Pjesëmarrja e shkrimtarëve në politikë i rrit këto sensibilitete, e bën politikën më humane, nëse ai vërtetë, duke qenë i pranishëm në politikë, e shpall identitetin e tij dhe nuk bën kompromis me vlerat në të cilat beson. Pra nuk ka asgjë të keqe që shkrimtari të jetë pjesë e proceseve politike, përkundrazi është një investim për shoqërinë së cilës i përket, jo për atë vetë. Të mos harrojmë se një nga politikanët më të shquar shqiptarë të shekullit të njëzetë, Ibrahim Rugova, vjen nga bota e letrave.
Natyrisht imazhin e keq të shkrimtarit në politikë, e krijoi diktatura nga përdorimi i dhunshëm që u bëri disa shkrimtarëve.
©Lazër Stani





















