Blog

Basha ka njohur jo vetëm zgjedhjet, por edhe masakrën zgjedhore - Nga Ilir Levonja

Lulzim Basha ka filluar një fushatë intensive në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike. Kjo ka kuptimin që pavarsisht retorikës mbi masakrën zgjedhore të 25 Prillit, ai vetë i ka njohur zgjedhjet. Pra midis asaj që thotë dhe midis asaj që bën ka në mes një humnerë. Thotë që ato ishin një masakër vjedhjesh, grabitjesh, manipulimesh, blerjesh etj., por që ai në një farë mënyre po i pranon. Me një fjalë ndryshe thotë e ndryshe vepron.

Kjo strategji nuk është asgjë por vazhda e asaj politike a strategjie bizarre gjatë plot 8 viteve në qeverisje të Edi Ramës. Vendime të forta por kur vjen puna tek qëndresa, gjithë fryma opozitare shëmbej sikur të ishte një kështjellë prej rëre. Shihemi në Shtator. Në Shtator opozita do kthehet më e fortë. Të gjithë e dinë mirë, se kur protestat plasin, plasin. Vërshojnë, nuk kanë të bëjnë fare me motin dhe muajin. O dilu zot, o hap krahun. Basha nuk bëri as njërën e as tjetrën. Që d.m.th. nuk është as peshk e as mish, por vazhdë e tyre. Vetëm se Basha vetë përfundonte një lloj kaposhi me zë të ngjirur. Nga ana tjetër na duhej të duronim edhe thumbat, si ore akoma këtë do votoni ju? Këtë nuk e voton as gruaja e vet etj.

Sot ka dalë me një energji të paparë në një fushatë ku flet për vjedhje, ku denigron kritikët brenda së Djathtës. Ka dalë dhe po bën fushatë për t'u zgjedhur. Që d.m.th. njohu humbjen. Dhe ajo që është më e bukura, nëse ngrihemi ne dhe themi, ore humbëm, Basha të mbyt. Për më keq akoma, të mbysin Lulzimët që ia panë hajrin kryetarllëkut të tij duke u futur veten në listat për deputetë, por që nga ana tjetër, ashtu fanatikë të njëshit, po rrudhin vazhdimisht të Djathtën, duke i uruar shëndet të plot një Llukashenkoje gagarel më shumë top model se sa qeveritar.

Ndërkohë që bota shqiptare dominohet totalisht nga një shpurë analistësh të majtë që ''çuditërisht'' po mbrojnë Lul gjumashin. Madje amullinë e përplasjes së mendimeve që e djathta të vazhdoj në një Lulzimëri pa fund. Kaq e bukur dhe e artë është kjo strategji, sa sot, shqiptarët janë 100% të bindur se drejtësia, ekonomia, mirëqënia e tyre, është fati i Lulit, Partia Demokratike dhe zgjedhjet brenda saj etj., jo indekset e qeverisë. Sikur dhe 2 dollarë t'u shkojë rroga shqiptarëve, prapë ata kanë një hall. Çfarë do bëhet me Lulin? Po me Saliun?

Në fakt e Djathta po kalon në një proçes normal ripërtëritje, ku më shumë se të djathtëve ky proces i duhet vendit. Dhe ata që po e pengojnë këtë janë i pari Lulzim Basha, Lulzimët dhe “kombinati metalurgjik” apo propaganda e Edi Ramës.

Nëse vërtetë Lulzim Basha ka bindje të forta të djathta, duhej të japë dorëheqjen. Të drejtën e konkurimit e ka. Të aplikojë me kushte të barabarta me konkurentët e tjerë. Por ai nuk bën. Kësisoj në Shtator do kemi rishtas një Kuvend që në në vend të merret me punët e shqiptarëve dhe Shqipërisë, do bëjë të njëjtat gërrvërre 30 vjeçare. Përfundimi mosha mesatare pensionistët pa pension.

©Ilir Levonja