Blog

Gërryerja morale e SHBA - Nga Hajro Çini

Ushtria Amerikane është sot për sot më e pajisura dhe më e shtrenjta në botë, me një buxhet rreth 40% të buxhetit ushtarak të të gjithë botës të marrë sëbashku. Megjithatë, jo në pak raste, ushtria amerikane nuk arrin të përfundojë me sukses luftrat që ajo fillon. Në Azi nuk ka korrur asnjë fitore, që pas bombardimit atomik të Japonisë. Në Vietnam luftoi 20 vjet, por nuk arriti dot ta fitojë luftën.

Në Kosovë, SHBA ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe brënda 78 ditësh fitoi bindshëm. Ishte lufta më e drejtë që SHBA bënte qysh pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Afganistan ka 20 vjet që jo vetëm që nuk e fiton dot, por as nuk mundet që ta mbyllë. Talibanët kontrollojnë tani më shumë se 80% të territorit.

Në Irak ka bërë dy luftra, të parën më 1991, të cilën e fitoi brenda pak javësh dhe të dytën nga 2003 që nuk po e mbyll dot. E para kishte një arsye ligjore dhe morale, pushtimi i Kuvajtit nga Iraku, por tek e dyta ndërhyrja u bë mbi bazën e gënjeshtrave dhe me një agjendë aspak të ndershme.

Në Siri u bënë 10 vjet që luftohet. SHBA ka më shumë se 6 vjet atje, por jo vetëm që nuk e fitoi dot luftën, por Asadi doli edhe më i fortë dhe më popullor. Ai fitoi bindshëm zgjedhjet e fundit.

Unë besoj se për të fituar një luftë, duhen bashkuar shumë faktorë, ndër të cilët edhe faktori moral. SHBA i ka të gjithë faktorët e tjerë shumë më të avancuar se kundërshtarët dhe pyetja shtrohet pse nuk arrin të fitojë dot SHBA këto luftra, edhe kur flitet për kundërshtarë shumë të varfër financiarisht, pa armatim modern apo të sofistikuar?

Duke parë vendimin e fundit të saj për të shpallur non-grata Dr. Berishën, një politikan të ndershëm, më proamerikani ndër liderët e Ballkanit në këto 3 dekada, që ka më shumë se 8 vjet që nuk është në pushtet dhe duke përkrahur një regjim narko-kriminal dhe jashtëzakonisht të korruptuar, unë konkludoj se SHBA vuan nga një gërryerje e thellë morale.

Askush nuk mund të fitojë një luftë të padrejtë, sado i fortë që të jetë.

Është mungesa e moralit, ajo që e bën SHBA jo fituese. SHBA duhet t’i rikthehet moralit të etërve themelues të saj dhe të thajë kënetën e saj të ndotur.

©Hajro Çini