Gojët pa fytyrë - Nga Nador Bakalli
Kritika është pozitive për njeriun që di ta menaxhojë atë, por kritika, në vetvete, ka disa rekuizite të rëndësishme që të mund të quhet e tille. Duhet të jetë konstruktive, të mos jetë paragjykuese, të ofrojë rrënjën e problemit, të shprehë apo tregojë alternativë, të mos jetë ofenduese etj. Më e rëndesishmja, njeriu duhet të dijë se kush po e kritikon dhe kush po kërkon bashkëbisedim me të!
Këtë mundësi nuk ta japin gojët pa fytyrë, të njohura si “profile fallco” apo “profile anonime”. Ata e kanë gojën e madhe dhe vrerin të hidhur, por fytyrën e mbajnë të fshehur. Habitati i tyre është hija dhe errësira.
“Nata është e huaj”, - thoshte moma (gjyshja ime e mençur). Mesa duket ajo nuk është e tillë për këta njerëz. Ata lulëzojnë natën, në errësirën e tyre virtuale. Drita u djeg dhe u dhemb, nuk e duan. Preferojnë të lëshojnë helmin e tyre natën duke shpresuar se dikush do të përfshihet në vorbullën e tyre anonime dhe do të humbasë vëmendjen dhe kohën me ta.
Por çfarë janë këta njërëz në vetvete?
Fytyrat dhe emrat nuk ua di, por ama tiparet e tyre janë evidente në dritën e diellit. Ata e nisin drejtpërsëdrejti me ofendime ose me akuza të ashpra. “Je i shitur”, “turp të kesh”, “u bë b… jote” etj. Madje, të “godasin” edhe për atë që nuk e ke thënë, por që mendojnë se duhet ta thoje.
Ky është karremi i parë, një tentativë e shënjestruar për të provokuar reagim të ashpër dhe për ta nxjerrë njeriun nga vetvetja. Njeriu me karakter, kur lexon të tilla gjëra, tundohet të reagojë dhe të bjerë në nivelin e tyre.
Më pas ata zbusin tonin, kërkojnë bashkëbisedim dhe hedhin teza të tipit “duhet të pranoni kritikat”. Përsëri një tentativë tjetër për të të tërhequn në një vorbull kotësie që nuk do përfundojë asnjëherë.
Në fund, vetë-inskenojnë viktimizim dhe dalin duke lëpirë plagët nga reagimi që kanë marrë për zullumin që e filluan vetë. Narrativa ndryshon fytyrë dhe merr ton të tipit “na sulmoni se ju kritikojmë” apo “ofendoni se nuk keni argumente” ose “pyetjet e vështira duan përgjigje”.
Por, në të vërtetë ata nuk duan as bashkëbisedim dhe as nuk shprehin kritikë konstruktive. Ata janë ngatërrestarë dhe provokatorë, të ndërgjegjshëm për indoktrinimin e tyre të palëkundur dhe militantizmin e pashërueshëm. Çdo gjë që shkon kundër ideologjisë së “natës” duhet shkundur dhe shtrydhur.
Ata janë thjeshtë frikacakë. Janë fytyra të pafytyra, shëmbëlltyrë e frikës nga vetvetja dhe të tjerët. Gjuha e tyre është krejt bazike, e thatë, pa jetë. Drejtshkrimi i tyre çalon deri ne ofendim për gjuhën tonë të mrekullueshme. Në mesazhet e tyre gjen gabime qesharake që as vajza ime 6 vjeçare, e lindur ne Kanada, nuk i bën.
Siç i them shpesh një mikut tim “rilindas” (profil real, jo gojë pa fytyrë), nëse vërtetë mendoni se pyetjet e vështira vijnë nga “rilindasit” apo “gojët rilindase” pa fytyrë, përgjigja është edhe më e thjeshtë se pyetet tuaja amatoreske:
Jetoni në një flluskë iluzionare dhe i jepni vetes suaj atribute që nuk i keni. Pyetjet e vështira janë për njerëzit e zënë ngushtë në zullum, jo për ata që e vendosin kokën rehat në jastëk natën!
©Nador Bakalli





















