Blog

Fantazia idiote e nostalgjikëve të komunizmit - Nga Arben Kallamata

Kjo foto jo vetëm që është gabim, por edhe të acaron nervat në disa plane. Mund ta kisha marrë thjesht me humor, por niveli i padijes ose budallallëkut arrin një shkallë të atillë saqë të ngrin buzëqeshja dhe të vjen të shkulësh qimet e kokës dhe ta përplasësh fort kokën, ashtu me qime të shkulura, pas çdo cepi të fortë tryeze, rafti, apo muri që ke pranë.

Unë e hasa në faqen e dikujt në Facebook që paraqitet si mësues fizike dhe informatike, si gazetar i pavarur dhe autor librash. Pra, nuk kemi të bëjmë me njerëz të pashkolluar. Thjesht me injorantë të vetëdijshëm. Ky person e paraqiste foton me këtë koment: "Vajzat shqiptare më origjinale, pa botoks, dhe më të bukura më 1970, se sot…edhe pse më të varfëra".

Sinqerisht mendoj që ky nuk duhet lejuar të japë mësim, as fizikë, as informatikë. Është i rrezikshëm. Madje edhe nga Facebook duhet nxjerrë me shkelma.

Nuk di pse kam nje shtytje të brendshme t’i rendis nivelet e budallallëkut megjithëse duken ashiqare:

1. Nuk janë vajza shqiptare. E para sepse vajzat shqiptare nuk visheshin dot kështu, nuk i mbanin dot flokët kështu dhe nuk i nxirrnin dot këmbët kështu në vitet 1970-të. Por po s’tu mbush mëndja për këtë, hapi sytë dhe shiko flamurin mbrapa - është flamur britanik. Ti qe e merr kete foto dhe e paraqet si vajza shqiptare ose gënjen, ose je fare budalla dhe gënjehesh.

2. Nuk janë të varfra. Këto duket se janë modele dhe janë veshur me rroba të shtrenjta, me rroba që vajzat shqiptare të viteve 1970-të as në ëndërr nuk i kanë parë. 

3. Po të mbanin funde të tilla rrugëve vajzat shqiptare në vitet 1970-të, ua prisnin këmbët. 

4. Gramatika e diçiturës është për të qarë hallin. Edhe gramatika e komentit që ka bërë mësuesi i fizikës, që është edhe gazetar i pavarur dhe autor librash është për të ulërirë.

5. Foton e poston “grupi ilirian”, që duhet të jetë një nga ato grupimet nacionaliste që s’e kanë idenë se çfarë është nacionalizmi dhe që s’mund të kenë as idenë se ç’është Iliria, historia, ose çdo gjë tjetër. Me një fjalë pellazgë të pandreqshëm.

6. Nuk merret vesh nëse këto vajzat në foto i duken “grupit ilirian” më të bukura se vajzat shqiptare sot, apo më të bukura se vajzat europiane sot? Nëqoftëse këto i duken më të bukura se vajzat shqiptare sot, atëherë “grupi ilirian” i bie vetes, sepse i nxjerr vajzat angleze të viteve 1970-të më të bukura se shqiptaret e viteve 2020-të. Ndoshta i duken më të bukura se sa vajzat europiane sot, gjë që mund të justifikohet po të mendosh se Britania ka dalë nga Europa. Uf, më kapi edhe mua budallallëku dhe po flas broçkulla. Po e le me kaq.

Megjithatë, pyetja që më shqetëson më shumë është: Në fantazi të tilla idiote e mbështesin njerëzit nostalgjinë për vitet e komunizmit? Sepse duket ashiqare që kjo foto është postuar me idenë: Shihni sa mirë ishim në vitet 1970-të, në kohë të komunizmit. Shkalla e budallallëkut ose e trushplarjes në këtë rast është aq e paimagjinueshme, saqë për të vërtetuar një ide fikse për diçka që nuk ka ekzistuar, merret pikërisht e kundërta e saj.

©Arben Kallamata