Blog

Pse nuk lëvizim qimen për lirinë? - Nga Agim Xhafka

Dyshoj që në Shqipëri ka pasur forca partizane të mirëorganizuara dhe është bërë Luftë e ashpër Nacional-Çlirimtare. Thjesht ne u çliruam nga lufta e Amerikës dhe e Rusisë kundër nazizmit. Pra ishim rrjedhojë.

Kam disa arsye e fakte, por po sjell më kryesoren. Populli ynë nuk lëviz qimen për lirinë. Nëse do e kishim shporrur me pushkë fashizmin e do derdhnim gjak për lirinë, atëhere në shpirtin e brezave do ishte gdhendur revolta ndaj çdo shtypje e çdo poshtërimi. Por ndodhi e kundërta. Heshtëm për 50 vjet kur njeriut iu hoq çdo e drejtë. Nuk lëshuam një zanore kur internohej për bindje fqinji ynë me pleq e fëmijë. Shihnim si hiqeshin zvarrë në qytete ata që mendonin ndryshe e nuk lëvizëm as gishtin. U ushqyem me tallon e jetuam në uri e heshtje... Reagim i një populli luftëtar është ky?

Vazhdojmë sot kur qeverisemi nga fëmijët e nipat e pushtetit të diktatorit. Na rrejnë dhe ne duartrokasim. U japin drogë fëmijëve dhe ne qeshim. Na rrahin e ne trembemi. Rrëmbejnë copa të atdheut e ne nuk ulërijmë, por marrim arratinë si popull.

Ja pse provohet që lufta jonë partizane ka qënë hiperbolë komuniste, një ëndërr e frikacakëve. Se popujt antifashistë gjakun e kanë me leukocite lirie, me shkëndija proteste e zjarr përvëlues ndaj çdo shtypje e mashtrimi. Ja, në këmbë evopianë kudo nëse qeveria i gënjen. E gjithë Franca, Italia, Holanda etj. bëhen trup për të drejtat e njeriut. Shqiptari tundet nëpër kafe. Fle dhe pandeh se ka pasur trima e partizanë kjo tokë e begatë me njerëz apatikë, dembela e frikacakë. Nanuriset në gënjeshtra e në kotësi...

Siç u provua Lufta është bërë nga Kinostudioja komuniste. Me skenar nga historianët e leshit. Na i dhanë si hashash cilësor. Akoma s’po na del gjumi. Gërhasim e gërhasim. Flemë e flemë...

©Agim Xhafka

Tagged under Agim Xhafka Liria