Blog

Disidenca fshatare - Nga Artan Fuga

Shpesh diskutohet a ka pasur disidenca masive në kohen e komunizmit në Shqipëri? Sigurisht ka pasur, shtresa antikomuniste, individë që rezistuan, u ndeshkuan, vranë, burgosën.

Por, unë dua të flas për disidencën masive.

Në studimet e mia e kam gjetur edhe te sjellja e përditshme e fshatarësisë futur në kooperativa. Jo vetëm te rezistenca me armë në muajt e parë të vendosjes së pushtetit.

Në vitet 50 rezistenca e fshatarësisë për t'u futur ne kooperativa bujqesore. E njohin këtë hollesisht ata që duan të rishkruajnë historinë apo merren me dokumenta kot të gjetur në dosje që ka sa të duash në arkiva?

Në vitet 70, rezistenca e fshatarësisë për të punuar në ara me pak lekë, nën diell dhe në shi dhe braktisja e punëve për të shkuar në qytet e shitur ato pak produkte bujqësore fshehurazi nëpër cepa pallatesh nën kontroll policor.

E njohin këtë fakt historik shkruesit e historisë apo nuk e hanë atë koqe ve për ta studjuar e shkruajtur me fakte dhe detaje? Apo fshatarë hesapi!

Në vitet 80 therja e bagëtive si pasojë e politikave banditeske të tufëzimit dhe mbajtja e derrit, viçit, kecit "diversant" në shtëpi, fshehurazi për të përballuar urinë dhe varfërinë.

Ka shkruar ndonjë historian ndonjë studim për këtë apo punë derrash, dhish, dhe kecash që sot e kanë mendjen të marrin ndonjë tender a ndonjë projekt gërmimi andej nga Butrinti si kockë e hedhur për mendje senile?

Kur do ta njohim historinë si duhet sepse brezat po ikin dhe të rinjtë kujtojnë se nuk ka pasur fare rezistencë kolektive në komunizëm? Ka pasur, përditë, masive, të fortë, dhe në përballje të fuqishme. Disidenca nuk ishin vetëm disa kokrra...

Se dalin ca ideologë që thonë se sot si dje shqiptari nuk di të rezistojë, shet votën.

E shet dhe i luan fenë sepse nuk sheh se çfarë ta bëjë atë vote. Tregojani se çfarë ta bëjë dhe shiheni pastaj që atë që deklaroi Joe Biden ta deklarojnë me mijëra mu në sheshin Skenderbej!

©Artan Fuga