Blog

Velko Odaloviçi në Prishtinë - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Velko Odaloviçi ka qenë njëfarë “guvernatori” i Kosovës në kohën e Sllobodan Milosheviçit. Odaloviçi, pra, ka qenë njëri nga burokratët serbë në Prishtinë që ka zbatuar politikat e Beogradit për diskriminimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Me kthimin në pushtet të socialistëve serbë para një dekade, Odaloviçi sërish mori funksione në qeverinë e Serbisë. Prej vitesh ai kryeson delegacionin serb që diskuton me palën kosovare për çështjen e të zhdukurve. Pra, “guvernatori” i Milosheviçit do të duhej të tregonte se si dhe ku i kanë fshehur, groposur, rigroposur dhe djegur viktimat civile shqiptare autoritetet serbe.

Emërimin e Odaloviçit nuk e ka kundërshtuar asnjë qeveri e mëparshme e Kosovës, ndonëse e kaluara e tij dihet mirë. Madje Odaloviçi ka ardhur disa herë në Prishtinë për të folur me palën kosovare për çështjen e të zhdukurve.

Kërkesa e Albin Kurtit që Odaloviçi të mos jetë pjesë e dialogut për shkak të biografisë së tij politike, tingëllon e drejtë, por është e vonuar, sepse Odaloviçi tashmë është pranuar nga qeveritë e mëhershme kosovare si partner negociatash. E çka pranohet njëherë, zor se mund të zhbëhet.

Siç do të jetë pothuaj e pamundur të zhbëhet bashkësia e komunave serbe, por ndoshta së paku mund të kufizohet dëmi deri-diku dhe kjo bashkësi të mos ketë kompetenca të një “minirepublike serbe” brenda Kosovës.

©Enver Robelli