Blog

Ka gjithmonë kohë për tu turpëruar - Nga Ylli Dylgjeri

“Jam kampion dhe besoj te kampionët!”

Për të marrë këtë "slogan kampioni" u nisa në Qershor të vitit 2005 me një ekip televizioni në Gjermani. Aty na priste kampioni i Europës në boks Luan Krasniqi. Slogani na duhej për kolonën publicitare të propagandës në zgjedhjet e vitit 2005. Slogani duhej për të treguar forcën Nanos si udhëheqës i socialistëve në zgjedhjet e vitit 2005.

Por... boksieri kosovar Krasniqi, pas shumë bisedimesh e negociatash në Berlin, nuk e tha kurrë këtë fjali. Presioni mbi të ishte i lartë. Nuk e lanë më saktë ta thoshte atë lobet e djathta kosovare të atashuar pranë tij.

Aq shumë u kontraktua boksieri kampion sa edhe dorezat e kuqe të boksit që i bleu si dhuratë për Fatos Nanon, kërkoi sërish ti zëvëndësonte me ngjyrën blu. Por, Krasniqi nuk u thye. Krasniqi ruajti bindjet e tij. Krasniqi së fundi i shiti dhe transmetimin e ndeshjes së radhës medias shqiptare. E bëri hapur dhe pa droje.

E tregova këtë histori pasi dëgjova përshëndetjen e Fatos Nanos në Kongresin e Socialistëve.

Një shprehje thotë: ka gjithmonë kohë për tu turpëruar. Dhe ky ishte një turp i tij. Më trishtoi sërish qëndrimi. Më shumë se një plak servil, Nano u lëpi, u përul, u rigjunjëzua përpara udhëheqësit të korrupsionit dhe skandaleve të së Majtës në vitet që po jetojmë.

Nga koha kur kam punuar pranë tij si Drejtor i Informacionit dhe Mardhënieve Publike, kujtoj përplasjet, sharjet, “grushtat”, konfliktet e tij me Ramën. Kujtoj një marrëdhënie që na imponoi edhe ne vartësve të tij në urrejtje të pakthyeshme për Ramën kryetar Bashkie. Por nuk u ndalën këtu. Lufta shkoi deri në ndarje ose siç e thotë vetë Rama, “e vrava babanë politik”.

Vitet kaluan dhe fjalët e përshëndetjes treguan Nanon e vërtetë. Dhe Ramës i duhej ky Nano. I duhej për të treguar vazhdimësinë, unitetin e brezave, vjetërsinë dhe markën nga vinte PS. Fatos Nano ia mundësoi. Nano e stampoi sërish edhe një dekadë Ramën.

Atë çka nuk e deklaroi boksieri Krasniqi për Nanon, e deklaroi me fjalë të tjera Nano për Ramën. Gjithshka u pa në publik. Nuk u pa vetëm fatura. Krasniqi ishte më transparent. Ndeshja e boksit na u shit 50 mijë euro.

©Ylli Dylgjeri