Blog

Pararojë e interesave të Kosovës është Amerika - Nga Ndue Ukaj

Raportet e Kosovës me Amerikën dhe Perëndimin janë përkeqësuar dhe kjo është intriga më e rrezikshme që i vërtitet vendit tonë. Është një hije e zezë. Është një intrigë e vjetër që përndizet nga interesa antishqiptare, në prapavijë të së cilës qëndron një sfond i rrezikshëm ideologjik, bashkë me do sentimente antiperëndimore, që në esencë janë antishqiptare. Për këtë ka dëshmi të mjaftueshme historike.

Historia më e re Kosovës është e lidhur organikisht me Amerikën e Perëndimin dhe këtë të vërtetë duhet ta themi përditë e me zë të lartë. Për më tepër, këtë të vërtetë duhet ta kemi shujtë të përditshme në tryezën tonë politike.

Kurse ata që me vetëdije ose pa, të thonë se po i mbrojnë interesat e Kosovës duke e kundërshtuar Amerikën e Perëndimin, ata e mashtrojnë keq popullin e vuajtur të këtij vendi dhe rrjedhimisht bëjnë një gabim të rëndë, një padrejtësi historike, që mund të kthehet në fatalitet.

Sepse, pararojë e interesave tona është Amerika dhe Perëndimi dhe kjo e vërtetë s'mund të mbulohet, sepse s'mund të mbulohet dielli me shoshë. Me Perëndimin, me në krye Amerikën, kemi realizuar çdo gjë e pa të s'mund të bëjmë asgjë, pos t'i hapim portat e ferrit, tmerrit dhe izolimit.

Është çështje e pastër si loti: çdo konfrontim me Perëndimin është në funksion të pastër të avancimit të intetresave të Serbisë dhe është fort i pashëndetshëm për Kosovën e sotme dhe të nesërme.

Gjuha e përçartë e Prishtinës zyrtare është duke i rrezikuar sot seriozisht aleancat tona organike me Perëndimin. Gacat e zjarrit antiperëndimor tani duken të vogla dhe ne duhet ta marrim ujë e t'i fikim, sepse mund të bëhet zjarr i madh, ku mund të digjemi të gjithë.

Të rrezikosh raportet e shëndosha me Perëndimin domethënë t'i vendosësh kazmat në themelet e shtetit. Krejt justifikimet e tjera janë dokrra pa vlera politike, pos marrina në funksion të një tallavaje të brendshme politike, prej së cilës dikush mund të fitojë pushtet, por populli i Kosovës mbetet më me pak shtet, zhvillim dhe siguri.

©Ndue Ukaj