Blog

Udhëtimet në pandemi si uji në shkretëtirë - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Pas një viti e ca nën pandemi, me lëvizje tejet të kufizuara dhe të ndrydhura nga kujdesi e frika, udhëtimi për në Jalë fqinjëron me një aventurë ngashënjyese. Ka diçka nga ravëgimet e Odisesë, kuturis e them me vete.

Një çast më pas vras mendjen të gjej se ç’më nxorri tek Odiseja.  Pjesë të fëminisë i kam kaluar në prapavijën malore të këtij bregdeti të ëndërrt, ndaj dhe aromat e rigonit e të sherebelës, që hyjnë aq kundërmuese nga xhami i ulur i makinës, më krijojnë ndjesinë e kthimit. Një kthim i dyfishtë: edhe në vendlindje, edhe në fëmini.

Përqasja me Odisenë, sado pretencioze që ngjan, mund të jetë nxitur edhe nga prania e Jonit. Itaka që këndon Homeri gjendet diku në ujërat smerald të Jonit, që vezullojnë atje posht. Kavafis do ta kthente Itakën e Odisesë në metaforë të vendlindjes a, më saktë, në metaforë të destinacionit. Parë me sytë e poetit, imazhi i vëndlindjes nuk na vjen i gatshëm qysh në fëmini, e krijojmë gradualisht gjatë përpjekjeve për t’u kthyer në gjirin e saj.

Por mbase përqasja me Odisenë ka zanafillë më të thjeshtë: heroi homerik është prototip i udhëtarit, ndaj rilindasve ua kishte ënda të hamendësonin se Odise - Odhise vinte nga shqipja: udhësi apo i udhës. E mirëkuptoj dëshirën e tyre paçka se rezulton shumë më tepër poetike sesa shkencore.

Udha, udhëtimi janë prirje të lindura të njeriut, secili prej nesh i ka në gen. Parakët u ngulën në një vend, krijuan shtëpi e katandi 10-12 mijë vjet të shkuar, gjithë historia e mëparshme e homo sapiensit është histori nomadësh, gjahtarë e mbledhës që shpërnguleshin vazhdimisht në kërkim të ushqimit.

Kjo është mbase arsyeja pse njeriu është ndërtuar në mënyrë të tillë që e mërzit e njëjta. Rutina s’i bën më përshtypje, kërkon të renë, rrugën, aventurën. Për ta perceptuar më qartë këtë mjafton të kujtosh gëzimin spontan të çdo fëmije, kur merr vesh se do niset për udhë.

Por dashuria e njeriut për udhëtimet duket se ka edhe arsye të tjera, që anojnë më shumë nga kultura se sa nga natyra, biologjia. Bota është libër, kush nuk udhëton lexon vetëm faqen e parë të tij, thoshte shën Agustini. Kjo më sjell në mend të diturit e Antikitetit, shumica pëlqenin udhëtimet në vende e popuj të tjerë, jo aq për aventurë, sa për dije e përvoja të panjohura, për të takuar të urtë të tjerë e për të bashkëbiseduar me ta.

Por udhëtimi ka edhe një funksion tjetër, të rrafshit etik. Të bën modest, vërente Floberi, se të tregon vendin e papërfillshëm që ti ke në botën e madhe.

Mbase rruga Tiranë-Jalë në kohe të zakonshme nuk do t’i justifikonte gjithë këto meditime, por duket se pandemia i ka bërë udhëtimet më të çmuara, thjesht duke i kufizuar. Uji poetizohet në shkretëtirë.

©Çapajev Gjokutaj