Kosova është peng i politikës së brendshme franceze - Nga Enver Robelli
Kur dita është e gjatë dhe zhegu i padurueshëm, nëpër çarshinë politike dëgjohen edhe këso margaritarësh: “Albin Kurti nuk e bindi Macron-in për të hequr vizat ndaj qytetarëve të Kosovës”. Jo vetëm Kurti, por askush tjetër nga çarshia politike sot për sot nuk mund ta bindë presidentin Emmanuel Macron për të hequr vizat ndaj Kosovës. Dhe kjo ka të bëjë me politikën e brendshme franceze.
Në vitin 2022 në Francë mbahen zgjedhjet presidenciale. Macron nuk dëshiron të heqë vizat, sepse frikësohet se opozita e ekstremit të djathtë e prirë nga Marine Le Pen e akuzon se po i hap portat për kosovarët. Ndonëse nuk thuhet hapur, në rrethin e Macron-it ka këshilltare që mendojnë se po u hoqën vizat, mijëra kosovarë do marrin në sy Francën “për të përfituar nga sistemi ynë social”.
Në vitet 2014-2015 mijëra kosovarë kërkuan azil në Francë. Ky zhvillim ka ndikuar negativisht në disponimin e Francës për të hequr vizat. Sipas disa pjesëmarrësve një shans për të hequr vizat ka ekzistuar në prill 2019 në Samitin e Berlinit, kur Macron i kishte kërkuar kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj që të heqë tarifat ndëshkuese doganore kundër prodhimeve serbe dhe t’i jepte atij, pra Macron-it, 6 muaj kohë për të hequr vizat. Delegacioni kosovar, ndërkaq, kishte mbrojtur qëndrimin se refuzimi për të hequr tarifat kishte ndalur edhe “korrigjimin e kufijve” të Kosovës.
Macron ka bllokuar disa herë edhe fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Së fundi edhe Bullgaria e zbuloi instrumentin torturues të bllokadës kundër Maqedonisë së Veriut. Meqë uniteti mungoi, shtetet e BE-së këtë javë nuk morën vendim as për Shkupin dhe as për Tiranën.
©Enver Robelli





















