Blog

Pse Rama po sulmon Bashkimin Europian? - Nga Red Varaku

Red Varaku - Tiranë

Rama nuk po e kapërcen dot refuzimin Europian për të dhe qeverinë e tij, ndaj shpërtheu në një diarre akuzash kundër BE në “Forumin e Prespës” në Maqedoninë e Veriut. Kjo për shkak se ai e ka të qartë që vendimi i Bashkimit Europian për refuzimin e negociatave është produkti i parë politik i Raportit për zgjedhjet e 25 Prillit dhe ky vendim cënon rëndë legjitimitetin e tij dhe qeverisë së tij.

Sigurisht, institucionet kryesore perëndimore si KE apo ODIHR kanë bërë deklarata publike, që flasin qartë për parregullsi të rënda në zgjedhje, siç është shkrirja e shtetit me partinë apo skandali i patronazhistëve, por refuzimi i negociatave nuk është thjesht në kuadër deklaratash, por është një akt i mirëfilltë politik i prodhuar nga produkti i kompromentuar i këtyre zgjedhjeve. 

Pra, ky akt është një pergjigje serioze pikërisht ndaj sjelljes së kësaj qeverie me zgjedhjet e 25 Prillit dhe vë në dyshim dhe diskutim serioz procesin dhe produktin e këtyre zgjedhjeve , sepse dihet që zgjedhjet e 25 Prillit ishin kryekushti për hapjen e negociatave.

Vënia në dyshim e produktit të këtyre zgjedhjeve nga vetë Bashkimi Europian e thellon krizën. Ky refuzim dëshmon që këto zgjedhje dështuan të prodhonin stabilitet dhe siguri, gjë për të cilën u investuan seriozisht të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Dhe këtë më mirë se sa të gjithë duket se e parandjen vetë autori i masakrës zgjedhore. Kjo sepse ai e ka të qartë që ky qëndrim është vetëm fillimi i akteve politike kundër tij dhe kundër asaj që ai përfaqëson.

©Red Varaku