Blog

Të mbërrish tek tharmi i qënies tënde - Nga Iva Çaushaj

Thuhet se jeta është si një ëndërr për të mençurit, lojë për të marrët, komedi për të pasurit e një tragjedi për të mjerët.

Ndoshta, sepse të mençurit kanë vetëdijen se jeta është kalimtare, sikurse ëndrrat. Ndërkaq, pjesa tjetër sillet si një trup gjigand amorf përqark po të njëjtit cikël, pa mundur assesi të rrokë nga vjen, pse është e ku po shkon, duke ngërthyer verbërisht atë ç'ka përbën dramën e një jete të pajetë, nëpër të cilën hyjnë e dalin dëshpërimisht të fjetur.

Të mundesh të bësh gjënë e duhur e të drejtë, lypet një luftë e madhe me "Un-ët" brenda secilit prej nesh.

Të mundesh, përmes një pune të palodhur me veten, të rritesh fisnikërisht ndër shkallaret e personalitetit për të mbërritur tek tharmi i qënies sonë, ndoshta, është sfida më e madhe që na parashtrohet në jetë të jetëve.

Gjithsa, është e vështirë dhe nuk i del kujtdo natyrshëm, andaj kërkon mund, punë e sakrificë.

Është një rrugëtim që nis diku-dikur e ndoshta, nuk do të mjaftonte veçse një jetë për t'u përmbushur, porse ka kaq bukuri që shpaloset përgjatë përshkimit të shtegut. Hap pas hapi, përmes perjetimeve, nxënësisë e pasurimi shpirtëror, aty, në udhëkryqin më të humbur, njeh të vërtetat që të rrëfejnë ç'ka është e drejtë dhe ti pranon krahëhapur, edhe përtej pritshmërive e dëshirave të tua.

Por, fatkeqësisht, në këtë maskaradë të vazhdueshme jetësore, mendimet dhe veprimet e drejta damkosen nën vulën e utopizmit.

Mendje të përdhosura e shpirtra tretur në doza të vogla helmi, qyshse fëmijë, duke mbjellë në dheun e ndërdijes bindjet se të tilla përqasje konsiderohen heretizmi i kohëve moderne.

Kësisoj davaja quhet e humbur në këtë dynja, nëse kultivohen apo, më keq akoma, nëse veprohet mbi bazat e asaj ç'ka është e drejtë dhe e vërtetë. Natyra njerëzore e tillë ka qënë përherë, porse "njeriu modern", kompozuar me përqasje të tilla, më duket më davahumburi prej krejtve!

Ne, njerëzit ekzistojmë prej dashurisë dhe për dashurinë. Përse e harrojmë vazhdimisht tharmin e ekzistencës sonë?