Blog

PD nuk është aq keq… - Nga Rexhep Shahu

Partia Demokratike keq është, vërtetë është keq, shumë keq, por jo, nuk është aq keq sa do të donin e po duan të jetë disa që po e vajtojnë, disa që pak lidhje kanë me të, disa që e shohin keq PD se nuk janë drejtues të saj, apo nuk janë në funksione drejtuese, disa që janë në thelb enveristë dhe si të tillë e me atë mendësi e gjykojnë PD dhe vajtojnë.

Si të doni, ne themi se PD është më keq se sa e thoni ju, por në fakt PD është më mirë se e mendon shumëkush nga qortuesit e lakmuesit e saj.

PD e shajnë se ka humbë tre herë zgjedhje, nuk ka fituar tre herë. Nëse nuk kurvërojme, nëse jemi të drejtë, herën e parafundit por sidomos këtë herën e fundit nuk pati zgjedhje, ishin farsë. Pozita i ka ble zgjedhjet në popull, i ka ble që pa hyrë në zgjedhje, populli ia ka shitë zgjedhjet.

Herën e parafundit kur Rama doli me dajre e tepsi dhe e flaku dhe LSI, ai ishte i sigurtë se ishin ble votat e ai bënte gallata nëpër studio.

Në 2021, pas 8 vjet keqqeverisje mori gati 10 deputetë më shumë, gjë e pabesueshme në asnjë demokraci normale. Po qortuesit e PD qe duken si aleate të PS nuk analizojnë asnjëherë këtë fenomen të 10 deputetëve më tepër të pozitës pas 8 vjet keqqeverisje të saj.

PD bëri fushatë për zgjedhje, Rama bëri blerje dhe mori pushtetin. Kështu mund ta marrë dhjetë herë. PD nuk blen vota sepse beson në zgjedhje, beson se qytetarët duan ndryshimin.

Por janë një masë e madhe qytetarësh që bëjnë sot një parti politike, që kënaqen me një dorë lekësh dhe e shesin votën, pasi ata besojnë se kaq mund të zhvatin nga pushteti, kaq të shkoqin, sepse nuk besojnë as presin më shumë.

Njerëzit që shesin votat janë realitet i hidhur në vendin tonë. Plus votat që blen pushteti me anë favoresh e premtimesh si lekët e tërmetit apo legalizimet etj., etj.

Qortuesit e PD, ata që vajtojnë PD, nuk thonë se qeveria bleu votat dhe ky është shkaku kryesor, por thonë PD me Bashën nuk fitoi. Po armiku që na vrau në betejë a nuk kishte faj?

Po, edhe PD ka fajet e veta, shumë e të mëdha, se edhe anonimëve e spurdhjakëve, servilëve e lëpirësve, u vë grada dhe gradon edhe ndonjë mut. Mund të kishte zgjedhë gjithmonë njerëz më të mirë, të spikatur, me reputacion, drejtues me të mirë, deputetë më të mirë, servilë me pak, këllira me pak, lëpirës me pak. Por raportet janë një me njëqind sa i përket blerjes së votave nga qeveria para zgjedhjeve dhe fajit të PD.

Furia e sharjeve vajeve e mallkimeve duhet të mos e turbullojnë PD. Njerëzit që janë aty tek PD nuk janë miza. Po flitet sikur ata janë asgjë. Jo, janë të zgjedhur. Një pjesë e vogël janë aksidente aty. Një pjesë që bëjnë politike qokash në rrjete sociale janë tepër në PD. Por PD e ka ashtin e saj të qëndrueshëm. Ata që e mallkojnë duhen ngushëlluar, t’u japim nga një mindil të fshijnë lotët. Ata që ia kanë pi lëngun PD i ngushëlloj me që nuk ka më lëng për ta.

Qortues, vajtues, enveristë, PD nuk ka nevojë për vaje, nuk ka nevojë për urrejtje, ka nevojë për dashuri. Nuk është PD vetëm kali apo grazhdi juaj.

Ju lutem gjithë atyre që vazhdojnë t’i japin mend PD, mjaft më! PD nuk ka dalë me lypë mend. Ajo nuk do fjalime as mallkime.

E kam fjalën për gjithologët e mentarët e gjithëdijshëm që japin mend njëlloj edhe për diarrenë, për fruthin, për planetin Mars, për seksin.

©Rexhep Shahu