Blog

Në Ministrinë e Brendshme ka mbirë sërish hardhia e Kadri Hazbiut - Nga Ylli Dylgjeri

Dikur, para viteve 2000, në Ministrinë e Brendshme, në oborrin e brendshëm të saj, ishte mbjellë hardhi rrushi. Hardhia ishte mbjelle që nga koha e shokut Kadri Hazbiu.

Hardhia ishte mbjellë për rrushin, për hijen, e për të bëre një dorë thashetheme nën hijen e saj. Aq i ishin trashur degët, sa të dukej si një peme e egër që kacavirrej mureve të Ministrisë së Brendshme.

Hardhinë nuk guxonte kush ta priste. As edhe me Urdhërin e të Parit. Hardhia ishte bashkëkohese edhe e Policisë, edhe Sigurimit të Shtetit, edhe e historisë së diktaturës.

Kur u pre hardhia, u spiunua prerësi nga një polic lab, model i partishmërisë e servilizmit. Polici lab, e kishte nisur karrierën nga shkallët e stadiumit "Qemal Stafa" deri në shkallët e Ministrisë. Për të, e të tjerë, hardhia nuk duhej prekur. Siç ishin kërleshur degët e hardhisë ashtu ishin pështjellë dhe mendjet e disa policëve “patriotë” aty.

Ndaj duhej pune. Fillimisht për të prerë hardhinë e më pas për të civilizuar Policinë e Ministrinë e Brendshme. Ishte koha kur po implementohej për herë të parë Ligji i Shërbimit Civil në Ministrinë e Rendit. Për herë të parë Ministria nuk ishte më forcë e armatosur. Do të bëhej civile. Policia e Shtetit do të funksiononte me ligj të veçantë. Do shpallej konkurimi për vende pune. Për herë të parë u dëgjua Statusi i Nëpunësit Civil në atë institucion ku mbizotëronte urdhëri dhe uniforma e ushtarakut. E kështu nisi civilizimi. Erdhën nëpunesit e rinj nga fakultetet e vendit.

Prerja e hardhisë shënon edhe datën e lindjes së civilizimit në institucionin më të perfolur të dhunës dhe shkeljes së të drejtave civile, por edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nën këte Ligj Civil, sot sërish në Ministrinë e Brendshme po mbin e rritet hardhia e dikurshme e diktaturës.

Skandale financiare, skandale policore, skandale uniformash, mbjellje e kultivim kanabisi, shkelje e të drejtave të njeriut, vrasje civilësh, rryshfet, gjoba pa fund në trafik, largime ministrash për ndjekje penale, largime e arrestime policësh, gjuhë rrugaçësh në operacionet kriminale. Ky është realiteti.

Ku është Ministri i Brendshem? E njeh kush? Apo po numëron 100 ditëshin e Kryeministrit. Sa dite kanë shkuar? Çdo mbahet mend? Vetëm përplasje me civilë. Ka humbur fryma e policimit në komunitet.

E njeh njeri policin që shërben në komunitet, po në lagje? Vetëm qarkullim kuadri. Ikin 12 drejtorë e vijnë 13 të tjerë. Këta heqin 100 e marrin 150. Kjo është sot policia. Hardhia ka mbirë sërish, bashkë me ferrat përreth.

©Ylli Dylgjeri