Blog

Varret e viktimave të pafajshme të Serbisë e bëjnë harresën të pamundur - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Parulla e "integralisteve" të Ballkanit është kjo: "Ta lëmë prapa të kaluarën". Por është Serbia që nuk po e lë prapa të kaluarën. Krerët e saj politikë flasin orë e çast për "botën serbe" [srpski svet], kryetar i së cilës projektohet të jetë presidenti aktual serb. Ideja e botës serbe është eufemizëm për Serbinë e Madhe.

E kaluara lihet pas, kur Serbia shpreh keqardhje për krimet masive dhe tragjeditë që i ka shkaktuar kudo ne rajon. E kaluara s'harrohet kurrë, sepse janë varret e viktimave të pafajshme të Serbisë që harresën e bëjnë të pamundur.

Çfare po synon Serbia është dominimi në rajon pa e pranuar realitetin si, për shembull, Kosovën e pavarur. Presidenti serb po kërkon aleatë për ta izoluar Kosovën, ku shqiptarët e Kosovës trajtohen si qytetarë të rendit të dytë që duhet t'i nenshtrohen nismave të tij rajonale.

Një shofer i Kosovës në kufi me Serbinë duhet të çmontojë targat dhe çdo shenjë të shtetësisë së Kosovës. Një serb i Kralevës udhëton nga Kraleva në Kurvelesh pa asnjë problem.

Politikanet serbë mund t'i ofendojnë shqiptarët e Kosovës me terma raciste ["šiptari"]. Mund të mohojnë masakrat e mëdha në Kosovë. Pa asnjë konseguencë.

Beogradi integrimin rajonal e sheh vetem si zgjerim të mundësive për të sabotuar edhe më shumë Kosovën me struktura paralele. Kriminelët serbë të luftës trajtohen si heronj në Serbi. Librat e tyre i boton Ministria e Mbrojtjes e Serbisë. Gjeneralët serbë që në vitet 90-të kane komanduar ushtrinë serbe nga Prishtina, marrin ftesa për të ligjëruar në shkollat ushtarake serbe.

Kosova gjatë historisë shpesh ka qenë e rrethuar me politikanë dashakeqës nga fqinjësia. Por Kosova në shekullin e 20-të e ka dëshmuar disa herë shpirtin e saj kryengritës dhe nuk ështe nënshtruar. Nuk do të nënshtrohet as kësaj radhe!

Ajo çfare synon presidenti serb është e qartë: dëshiron t'iu thotë shqiptarëve të Kosovës ne ju masakruam, ulni kokën dhe hani biskota të fabrikave serbe. Çdo bashkëpunim rajonal është i pamundur pa e pranuar Serbia shtetësinë e Kosovës.

©Enver Robelli