I druhemi përmendjes së litarit në atdheun e të varurve - Nga Alfons Zeneli
Historitë dhe dramat e gjithkujt në këtë cikël kohe dhe në atë të kohës së shkuar. Djegie, zhvarrosje kufomash të fshehura nga tërbimi i xhelatëve, pushkatime, mjerim e dhimbje.
Skuadra pushkatuesish të qeshur, derra të majmë, dhjamë nën këmisha harbutësh, fisnikë të mbytur në terr sistemesh. Zhvatës, batakçinj, lëpirës të dekoruar. Hemoragji nderi, dinjiteti, dashurie. Vërshim paranojash, frikërash prej mirësisë, vërshim paragjykimesh, hijesh, gurtësie.
Në dukje është shumë më e dhimbshme nga ç'na mban shpirti. Por shpirti është bërë të mbajë atë që mendja nuk e di. Është bërë të mbajë gjithçka në pafundësinë e tij bluerrët. Megjithatë njeriu lodhet. Vë duart në kokë dhe ndalet.
Shohim përditë shpendin fatal që na çukit sytë, gjoksin, mushkëritë. Por nuk i vërtitim nëpër mend, nuk i mendojmë gjatë, duam t'i largojmë. A thua se larg mendjes ato zhbëhen, lehtësohen.
I druhemi përmendjes së litarit në atdheun e të varurve.
©Alfons Zeneli



















