Blog

I pjekur për sopatë - Nga Ylli Dylgjeri

Reagimi dje i Ambasadës së SHBA ishte i qartë dhe i pandryshuar: "Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbesor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për t’u përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë".

Pra, sipas SHBA, Berisha është pjekur për sopatë.

Duke rrëmuar në historinë e Ballkanit, te populli serb gjejme një traditë. Tradita rrjedh nga mitet serbe. Dhe meqë po jetojmë në kohën e Marrëveshjes së Shkupit për një "Ballkan të Hapur" po e vazhdojmë hapjen e historisë.

Në literaturën e sotme, të cilët serbët nuk e fshehin, ekziston edhe fjala e tyre popullore “zreo za sekirče” (i pjekur për sopatë), fjalë e cila ka mbetur si rikujtesë për kohërat kur serbët e zvogëlonin familjen e tyre në mënyren më jonjerëzore e shtazarake, të quajtur lapot.

Sipas këtij “miti” (senicid - vrasja e plakut), kur burri i mbushte 60 vjet, bëhej i tepërt dhe barrë për familjen, i mbetej të birit ose ndonjë familjari (nëse ai nuk kishte djem), që ta dërgonte në pyll dhe me ritual ta mbyste, duke i rënë në kokë me diçka të fortë, ose me sopatë, për ta mbytur. “Rituali” vrasës donte që “plaku” të mbante një bukë pogaçe mbi kokë.

Pogaçja mbi kokë simbolizonte që ai nuk meriton më të hajë bukë, se është i padobishëm dhe me këtë ai nuk e meriton as të jetojë, sepse ishte barrë e madhe. Ky zakon i fëlliqur është praktikuar deri në fund të shekullit 19 dhe më vonë është ndaluar me ligj.

Mu kujtua ky mit makabër kur sot, SHBA, pas disa dekadash kërkon të zvogëlojë familjen e demokratëve. Berisha deri me tash është e mbetet Babai i demokratëve. Berisha është mit për historinë e Partisë Demokratike. E nëse Lul Basha konsiderohet bir i PD, po i kerkohet atij koka e Sali Berishes.

Edi Rama e ka tejkaluar vrasjen e Babait politik. Deklarimi i tij para do kohçsh “Unë e vrava Babain politik Nano”, tregon se rrugët janë hapur sot për Bashën. Sigurisht, sopata këtu është e ekzgjeruar dhe kurrsesi nuk përdoret më, por, instrumentet amerikane (sipas deklaratës së Ambasadës) kërkojnë largimin e Berishes me çdo çmim.

Nëse nuk perdoret më sopata si instrument, në SHBA sipas Kodit Penal përdoret ende karrigia elektrike. Por edhe kjo është vetëm për ligjin amerikan të ndëshkimit. Në Shqipëri kemi tjetër Kod Penal. Por ka edhe një ndryshim tjetër të madh. Berisha është shqiptar.  Dhe nuk dënohet kërkush më me propagandë, aq më shumë që burrëria e tij këto ditë po rivlerësohet në opinion. Berisha vetë po bën sfidë, po i kerkon politikës, opinionit, drejtësisë, nderkombetareve: Më thoni çfarë kam shkelur? Më thoni ku janë krimet e mia?

Por deri më sot nuk po thuhet kurgjë... Vetëm "Non Grata"!?

Ndaj deri më tash "kërkimi i kokës" së Berishës është komedia e radhës. Berisha deklaroi se po pret serish aulën e Kuvendit. Pret të shprehë atë vullnet që i dha votuesi. Çdo hap tjetër do të çojë në shpërbërjen e PD, e kësaj force politike që sot është 50 përqind e shqiptarëve.

©Ylli Dylgjeri