Blog

Braçja i qeverisë, zogjtë zjarrvënës dhe “zogjtë e kurvës” - Nga Ylli Dylgjeri

Më në fund bota e civilizuar e zbuloi se zjarret në këto ditë përveluese i shpërndajnë edhe zogjtë. Ky zbulim vjen nga Australia e largët e deri në zjarret që kanë përfshirë edhe Turqinë, Greqinë etj. Janë autoritetet shkencore dhe më pas ato politike që e pranojne këte fakt.

Një numër i madh i zogjve vendorë të Australisë po e përkeqësojnë gjendjen e zjarrit që ka përfshirë vendin - u tha gjatë zjarreve që përfshinë këtë kontinent. Këta zogj, janë të njohur se përdorin zjarrin duke e shpërndarë nëpër fusha që të gjejnë më lehtë prenë e tyre. Ky veprim ka bërë që atyre t’u thuhet “zjarrvënës”, pasi janë duke përhapur zjarre me shkopinj që digjen duke i hedhur në fusha të thata. Ata trembin kafshët e vogla dhe insektet që i përdorin më pas për ushqim. Ky është konkluzioni që vjen për zjarret nga bota e qytetëruar.

Ndryshe po i trajton zjarret politika në Shqippëri. Edhe pse nuk ka referenca nga Ornitologjia, shkenca që merret me studimin e zogjve, zevendëskryeministri shqiptar Erion Braçe ia faturon zjarret një lloj zogu tjetër, ose thëne popullorçe “zogjve të kurvës”, që me këtë rast, sipas tij, nënkupton opozitën shqiptare.

Braçe thotë:

“Zjarret në Shqipëri nuk janë prej ndryshimit të klimës! Temperatura e re pooo! Zjarret jo! Zjarret janë të gjitha të qëllimshme! Hem si krime ordinere dhe hem si krime politike! Të qëllimshme si krime ordinere nisur nga nevoja banale për kullota, troje ndërtimi apo shkundje deri në fund të inatit me pronën publike dhe pronën e komshiut. Të qëllimshme si krime politike me zjarr, materializim i politikës së imponimit të destabilizimit me zjarr e tokën e djegur, njohur, jetuar, provuar/faktuar publikisht në këtë vend e që në dimër rrëzon shtyllat e transmetimit të energjisë e në verë i vë zjarrin çdo fije bari e çdo gjethe peme kudo, në pyje e parqe”...

Por edhe pas kësaj, Braçe prapë nuk ka prova, dhe bie edhe vetë brenda në zjarr: “Të dy qëllimet duhen “përvëluar” ligjërisht me hetim, gjykim, ndëshkim etj.” - vijon Braçe.

D.m.th. ende Policia, këtu, nuk ka provuar autorë, për zjarre të qëllimshme nga opozita.

Kështu si përfundim, në botën e qytetëruar, jane provuar zogjtë si zjarrvënës, në botën e Braçes, ku me një helikopter i vihet vërdalle Shqipërisë për të filmuar Shefin e Braçes, akuzohen “zogjte e kurvës” ose thjesht opozita.

Të lumtë e mos të humbtë logjika Braçe!

©Ylli Dylgjeri