Blog

Hartat e vjetëruara - Nga Bamir Bebeziqi

Një djalë i vogël e shumë kurioz, në sirtarin e poshtëm të komosë në dhomën e gjumit, një ditë u ndesh me disa fletë të vjetëruara, të mëdha, të palosura bukur dhe pa ndonjë kujdes, i hapi nëpër dhomë e me to, pothuaj mbuloi gjithshka, sa dyshemenë e sa krevatin e madh të prindërve.

Fletët, djalit iu dukën fare pa kuptim. Ato qenë ngjyrosur me disa lloj ngjyrash, ku mbizotëronte ngjyra blu, e kaftë dhe e gjelbër e ishin mbushur me plot vija gjarpëruese apo me ndërprerje.

Djali nuk u tërhoq fare nga zbulimi i bërë dhe me lapsa me ngjyra, filloi nga pjesa e prapme e tyre të bëjë vizatime e shkarravina… shkarravina që mbetën përjetë, si dëshmi që tregonin fare qartë, se bëhej fjalë për një fëmijë të prapë, ose më mirë një fëmijë i cili krijonte veçse probleme.

 Ai fëmijë, sot është gati të përballet me moshën e tretë të jetës e nuk besoj të jëtë e vështirë të gjendet se kush.

***

Në moshën e rinisë sime i kam hapur shpesh ato fletë dhe sot, pikërisht sot, doja t’i hapja përsëri, bile t’i postoja edhe në Facebook.

Janë harta austriake, shumë të detajuara, me plot mbishkrime të shkruara në gjermanisht. Janë harta që im atë i kishte trashëguar nga i jati i tij, i cili kishte studiuar e jetuar plot 16 vjet në Austri, nga viti 1918 deri më 1934.

Hartat për këdo që i shikon sot, veçse kuriozitetit gjeografik kanë brenda edhe histori, për fat të keq, histori shumë të dhimbshme.

Në ato harta është paraqitur Europa me shtetet e mbretëritë në mesin e shekullit XIX, me kufitë e atëhershëm, bile edhe shqiptarët me kufitë e tyre, të cilët gjyshi për t’i theksuar i kishte rënë me laps blu dhe me laps të kuq, kishte vizatuar me hamendje, hartën e Shqipërisë të pas 1913.

Me vite dallohen edhe shënimet e tim eti e unë u mësova qysh në moshë të re me një padrejtësi, që fatkeqësisht për shumë shqiptarë të Shqipërisë, bile edhe disa të njohur të mi, sot ndoshta është harruar.

Pa dashur të hyjë ne histori apo patriotizem folklorik, siç shkruhet rëndom sot nëpër gazeta e komente, apo siç dëgjohet nga goja edhe të ndonjë politikani të lartë, mendoj se çdo shqiptar duhet të ndjejë dhimbje kur shikon atë copëtim… dhimbje që e ndjej edhe unë, kur mendoj familjen e tim gjyshi, të shpërngulur me force nga Podgorica, në Shkodër.

Se çfarë u bë, sa më 1878 e sa më 1913, të gjithë e dimë. Të gjithë e dimë që kufijtë nuk mund të ndryshojnë, pasi janë fuqitë e mëdha që vendosin, por një gjë më vjen keq. Po dhimbjen e atyre njërezve të cilët u vranë, u dogjën, u përdhunuan, u përzune nga trojet e tyre përgjatë historisë, a duhet ta ndjejmë ne shqiptarët, të cilëve na qelloi fati të jemi brenda kufijve të sotshëm të Shqipërisë?

Im atë e donte pa masë Kosovën. Ai vetëm njëherë në jetë pati rastin te kapërcejë kufirin e Shqipërisë, ditën kur miku i tij, prof. Matish Gjeluci, i përmbushi ëndrrën për të shkuar ne Kosovë dhe pasi u kthye, kujtoj entuziazmin e tij për vizitën atje, apo vizitën në gjimnazin e Pejës, ku kishte qenë drejtor i jati, dikur në vitin 1944.

Atë dashuri që im atë e kishte për Kosovën, trashëguar nga i jati i tij, u trashëgua e plotë edhe tek unë.

Unë e dashuroj Kosovën, e dashuroj pa kushte, por kur dashuroj, jetoj dhimbjen e saj, jetoj edhe gëzimin e saj.

Sa herë jam gëzuar me suksesin e vajzave dhe djemve shqiptarë atje, sukses që mbulon sadopak edhe mungesën e suksesit të anës sonë! Sa here jam hidhëruar kur i luftojnë me padrejtësisht, i pengojnë të jetojnë jetën normalisht, i pengojnë bile edhe të marrin pjesë në aktivitete kulturore e sportive, i ofendojnë, apo i përçmojnë.

Sot, vëllezërit dhe motrat tanë, në anën tjetër të kufirit, për fat të keq nuk mundemi as t’i ndihmojmë, as t’i gëzojmë, por për diçka jam i sigurtë, gjë që e kemi plotësisht në dorë… të paktën mundemi që mos t’i hidhërojmë.

 S’ka më keq, se kur lëndon dashurinë e akoma më keq, kur nuk e ndjen dhimbjen e saj.

©Bamir Bebeziqi