Blog

Fukarallëk, maskarallëk - Nga Çapajev Gjokutaj

Shqiptarët janë populli më i politizuar i Europës dhe i Azisë Qendrore, thotë një sondazh.

Në çdo 4 shqiptarë, 1 është anëtar i ndonjë partie. Në Europë kjo shifër është 1 në 15.

Mirë që Europën e lemë pas, por lemë edhe mongolët, taxhikët, çeçenët etj.

Vështirë që ky politizim të vijë ngaqë u zëmë besë politikës dhe partive politike. Nga mëngjezi në mesnatë i shajmë e stigmatizojmë në kor. Siç thotë një miku im, s'është punë ideje, por mideje.

Ca thonë se politizimi në përmasa të tilla vjen nga varfëria. Sa më i varfër të jetë një vend, aq më të politizuar janë banorët e tij.

Të tjerë thonë se vjen nga mungesa e zhvillimit. Sa më anemik të jetë tregu i punës tek privati, aq më shumë e synojnë admnistratën publike. E punë në administratë plus ndonjë thelë mbi bisht, mund të të sigurojnë partitë.

Ka të tjerë që zhyten më thellë dhe e shpjegojnë me traditat bashibozuke: nisu pas të parit, lufto, fito dhe pastaj vidh e bëj katandi mbi kurriz të fatkeqit.

Shkaqet mund të jenë të shumta, por si emërues të përbashkët duket se kanë të vërtetën e qëmotshme: fukarallëk - maskarallëk.

©Çapajev Gjokutaj