Blog

Dy vizione të pushtimit - Nga Dashnor Kokonozi

Kur shoh padurimin e madh të afganëve për të përzënë ushtrinë amerikane dhe diçka më parë aleatët e tyre, që duhet thënë se ishin shndërruar në ndërmarrje ndërtimi duke hapur rrugë të reja, duke ndërtuar shkolla e spitale, duke mbrojtur fshatarët të punonin në ara dhe gratë e vajzat që shkonin në shkolla e punë, duke financuar institucionet demokratike dhe ndërtimin e shoqërisë civile në të gjithë format dhe larminë e saj, m’u kujtua një ushtri tjetër pushtimi. Ajo amerikane, përsëri. Por këtë herë në Gjermani. Aty ku ajo ishte (dhe është akoma) që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore me atributet e qarta të një ushtrie pushtimi.  Dhe që amerikanët i përdornin bazat e tyre në atë vend sipas interesave të tyre strategjike dhe jo në bashkëpunim me vendasit (apo thjesht për interesat e NATO-s), këtë e tregoi lufta në Irak, ku territori gjerman u përdor si plasdarm, edhe pse qeveria gjermane ishte kundër asaj lufte.

Ajo që kam parë unë, ishte diku në Koblenc, a nuk e kujtoj me saktësi zonën (rurale) ku po mbyllej një bazë amerikanë që kishte aty që nga fundi Luftës. Zot i madh si qanin e ankoheshin banorët e asaj zone për largimin e pushtuesve të tyre!

Pronarët e restoranteve ishin bërë depresivë se kush do hante tani e tutje në restorantet e tyre. Mësuesit qanin se kishin frikë se shkollat do të mbylleshin me largimin e fëmijëve të amerikanëve se nuk plotësonin dot numrin e nxënësve për klasë. I njëjti problem për tregtoret, teatrot, kinematë etj.

Edhe tani vonë pati ca rrudhje buzësh nga qeveria gjermane për largimin e një kontingjenti të trupave amerikane. Më kujtohet edhe një përgjigje e fortë e Trump-it që tha: Gjermania nuk do që ne t’i tërheqim trupat sepse thotë se është në interes të ekonomisë së saj. E pra, unë jam zgjedhur president që të bëj atë që është më e mirë për ekonominë tonë (amerikane).

Thua afganët janë më liridashës se gjermanët apo zhvillimet botërore ekonomike e nxjerrin në një pozicion tjetër konceptin e “pushtimit” dhe të vetë pranisë së trupave të huaja në një territor kombëtar, koncept që nuk kanë arritur ta integrojnë ende  vendet në zhvillim?

©Dashnor Kokonozi