Blog

PD është shtëpi e madhe, por jo han me dy porta - Nga Alban Daci

Të Hënën mblidhet Këshilli Kombëtar i PD e sigurisht në një moment të vështirë, jo vetëm për PD, por për Shqipërinë.

Qëllimi kryesor i PD duhet të jetë rikthimi i saj në qeverisje si alternative jo vetëm për të mirën e Shqipërisë, por edhe si vlerë për ata demokratë që kanë qëndruar të palëkundur dhe nuk kanë pranuar as të frikësohen e as të shiten.

PD duhet konsideruar si një shtëpi e madhe dhe si forca më e madhe, ose, më saktë e vetme, për të mundur këtë pushtet dhe për të sjellë alternativën e duhur e të munguar.

PD nuk mund të jetë e dashur për disa vetëm kur ajo ka pushtet dhe ofron pushtet, por ajo duhet të jetë vizion dhe ideal, si një forcë e Djathtë dhe moderuar në sistemin politik shqiptar.

PD nuk është e nuk mund të konsiderohet han me disa porta, ku mund të hysh e të dalësh sa herë të duash. Identifikimi me logon e PD është bindje personale, por edhe përgjegjësi e për më tepër kur ajo të ofron përfaqësim. Besimi i demokratëve është i shenjtë dhe duhet të respektohet maksimalisht. Kushdo që, me arsye ose pa arsye, tradhëton besimin e demokratëve, ai ka tradhtuar vlerat për të cilat besonte e po ashtu i shërben pushtetit, duke e forcuar akoma më shumë atë.

Demokrati i thjeshtë, që të ka votuar e besuar, nuk është në gjendje e ndoshta as nuk është i interesuar të kuptojë Makiavelin, e aq më pak të kuptojë debatin apo optikën virtuale të ndonjërit brenda PD. Kushdo që, për debate personale me forumet apo me sfidat e forumeve, braktis besimin e demokratëve të thjeshtë, për këta të fundit ai është një tradhëtar. Arsyetimet e tjera të bazuara apo të justifikuara tek Makiaveli nuk kanë asnjë lloj rëndësie apo justifikimi.

PD nuk është diçka virtuale apo tempull që qëndron si diçka e jashtme e mbi demokratët. Ajo forcohet dhe qëndron e fortë mbi bazën e kontributit të secilit prej nesh. Ka persona që PD dhe demokratët i mendojnë si dy gjëra të ndryshme që i bashkon halli i opozitarizmit. Kjo është e gabuar. Nuk mund të ketë PD pa demokratë dhe idealistë e demokratët apo idealistët pa PD rrezikojnë të jenë "hiç".

Dashuria për pushtet shpesh është më e madhe se sakrifica për opozitarizëm, por as pushteti e as opozita nuk janë status quo të përhershme. Kush dashuron thjesht dhe vetëm pushtetin, ai është tradhëtar i opozitarizmit dhe nuk meriton as respekt e as vëmendje.

©Alban Daci