Blog

Junta ushtarake e PD - Nga Ilir Levonja

Ai që e vrau i pari PD, nuk është Mark Marku, që sot po e linçoni me sa ju hanë bulçitë, por Sali Berisha. Ai që e vrau, i dyti PD, nuk është prapë Mark Marku, por Lulzim Basha. Ata që e vranë PD së treti, nuk janë intelektualët si profesorët Plasari apo Mark Marku. Por show-gagarelët si Gjana, Stresi, ca rrogtarë vocërrakër që presin ndonjë thelë. Dhe së katërti, shpura e atyre që kurrë nuk fituan drejtpërdrejt, e prapë drejtojnë vijën politike të PD në qënder dhe qytetet e vendit.

Ata që kurrë nuk fituan drejtpërdrejtë, por prapë janë uzurpues të vendit të parë në lista për një karrike garant me votat që nuk u takojnë. Së pesti, e vranë edhe ata që mbështesin hapur zgjedhje farsë, pa garë, si edhe ishin ata tek PD muaj më parë, qershor 2021, kur Lulzim Basha u rizgjodh pas humbjeve të 3 palë zgjedhjeve. Dhe u vulos me një kongres tip i Partisë së Punës në Korrikun e 2021. Së gjashti, e vranë edhe ata që e kuptojnë ekzistencën e një force politike, si armatë ushtarake, si juntë, vetëm e vetëm për të mbrojtur njëshin. Në rastin konkret, Sali Berishën, a manaren e tij Lulzim Basha.

Eshtë turp ta mendosh që një gjoja i quajtur doktor profesor, me pesë mijë vota, kërkon të rrijë gjithë jetën në pushtet. Demokracia është ndërgjegjësim intelektual, jo uzurpim or vëlla. Vjen, shpalosesh dhe hap krahun. Kushedi sa doktorë profesorë, me moshë sa nipërit e Saliut a të ndonjë tjetri aty, janë në vend të fundit në listat famëkeqe të njëshave. Dhe do dalin në pension ashtu, të fundit. I keni me shumicë, e kurrë nuk ua dhatë mundësinë. Mund të jenë fitimtarë realë dhe gjak i ri që vërtetë e bëjnë Shqipërinë. Arsyeja, sepse jeni kthyer në ushtarë të verbër të njëshave.

Sali Berisha del e flet në emër të popullit ashtu siç fliste edhe Enver Hoxha. Janë votuesit, me demek, populli që nuk e lë Saliun të iki. Pika argumentit dhe pika atyre që i hanë këto argumenta. Kur u ngritëm në 1990-ën, e bëmë për të shmangur bllokmenët, byroistët, hunjtë që nguleshin e nuk shkuleshin. Sot janë aty disa emra, sikur edhe njëqind vjet të jetojnë, sikur edhe me paterica, prapë i ke në krye, herë duke shtrënguar grushtin tek tëmthi, herë duke të çjerrur sytë me dy gishta. Atëhere byroistët na skandalizonin me atë privilegjin e magazinës, lirinë e dhunshme, të drejtën monarkike të partisë etj. Kurse këta të sotshmit, të sundojnë me privilegjin e unit të armatës ushtarake, luksit të shfrenuar, pasurisë së ekzagjeruar, pushtetin e pafund të byroistit.

Nuk kanë aspak turp kur statistikat i rrënojnë rezultatet e punës së tyre të këtyre 30 vjetëve. Aq sa zyrat e sherbimeve sociale pak ditë më parë jepnin alarmin se numri i kontribuesve për pension është bërë më i vogël se numri i përfituesve. Që domethënë se krahu i punës ka rënë në kuotat minimale dhe rezervuarin nuk ka shi që ta mbushë. Megjithatë, mirë pushteti i dështuar po çimentohet, por krahas tij, po çimentohet edhe junta ushtarake e uzurpimit të opozitës. Dhe ja fakti, një intelektual ka vullnetin të dorëhiqet, junta e masakron se nderi i tyre është Sali Berisha a Lulzim Basha, jo forca politike, jo Shqipëria.

Konkluzioni, një forcë politike e cila vendos më përpara se vendin emrat e përveçëm, ajo nuk është më një forcë politike, por juntë ushtarake. E tillë është sot e ashtuqujtura “Rilindja” e Edi Ramës. Dhe nëse juntistët e “Rilindjes” shkumosen duke mbrojtur Ramën, nuk ka se si duan Shqipërinë. Duan sundimin e njëshit. Shqipëria në të sëmës. Nëse Rama muajin tjetër nuk u jep pension, prapë në të sëmës. Bar do hanë dhe Ramën kurrë nuk e shesin.

Kështu edhe nga krahu tjetër. Sikur edhe njëqind vjet në opozitë të rrinë, prapë ata vetë në pushtet janë. Jo për Shqipërinë, por për Saliun. Dhe ta dini, se, sado t'i ketë vjedhur Rama, sado denoncime dixhitale të bëjë Saliu, sado dështime të tjera të ketë qeveria, këto argumenta do i keni në kundër argumenta, ai justifikimi klasik i politikanit për të ruajtuar pushtetin. Ashtu siç i dëgjuat kur Berisha bëri aleancë me Metën në 2009, do t'i dëgjoni edhe këtë vit nga aleanca e pritshme e Bashës me Ramën. Megjithatë ju, juntistë apo armatë militantësh do linçoni rishtas njëshat, jo progresistët dhe demokracinë. Demokracinë dhe Shqipërinë jo e jo.

©Ilir Levonja