Shqiptarët mbeten një popull i braktisur - Nga Dashnor Kokonozi
Ka tema të cilat shumë njerëz i analizojnë me mjaft mprehtësi, në përpjekje për të kuptuar sa të tjerët aq edhe veten. Veçse, vërej se në shumë raste, ajo që dikush e sheh në mënyrë objektive e të distancuar, për një tjetër është jeta e tij e prishur, dhimbjet e thella për vuajtjet e prindërve dhe të të afërmve të tyre. Fyerja e moskërkimit falje!
Ka një shprehje franceze që më ka bërë gjithnjë të mendoj dhe ende nuk e di nëse e kam kuptuar mirë: “faire le deuil”.
Nuk është thjesht të mbash zi. Eshtë diçka shumë më e thellë edhe se "të qash" dikë. Eshtë një institucion i të kuptuarit dhe të të pranuarit të vdekjes së të afërmit tënd, të një jetë të prishur, të vuajtjes pa bërë faj, të talljes me jetën tënde!
“Faire le deuil” është një proces aktiv të cilin e ndërmerr një njeri a një grup njerëzish, për të shprehur trishtimin, dhimbjen, vuajtjen, mospranimin e humbjes me gjithë qartësinë e dhunëshme të asaj që ka ndodhur.
Nga diskutimi i këtyre dy-tre temave të fundit, kuptova edhe një herë se nuk mund të ketë mbajtje zi, pranim të vdekjes, kthim normal në jetë, pa ditur ku është trupi i të vdekurit, pa njohur rrethanat e vdekjes së tij, pa dëgjuar dikë që pranon fajin dhe vuajtjet që të ka shkaktuar ty a të afërmit tënd. Pa të pranuar dhimbjen e vuajtjen.
Kam njohur dikë, që në bulevardin e Tiranës më tregonte njeriun që gjatë hetuesisë i kishte shuar cigaren në ballë. Dhe ky i fundit kthente kokën dhe e shihte me qesëndi, ndërkohë që e ndjeja që personi që kisha në krah ishte gati ta falte po qe se ai individi i zellshëm do t’i thoshte dy fjalë, do t’i kërkonte ndjesë. Një ndjesë që nuk e dëgjoi askush!
“Faire le deuil”, të “qash dikë”, jetën tënde të prishur, ndëshkimin e të afërmve, ke të drejtën hyjnore të njohësh me rrënjë gjithçka rrethon atë vdekje, vuajtje, burgim, torturim, ndarje së gjalli. Ndryshe nuk ke si i pranon. Qëndron para një varri bosh, një vuajtjeje memece. Ke nevojë të hapësh gojën e të ulërish deri në kupë të qiellit. Eshtë nevojë intelektuale dhe psikologjike. Në mos, gjithçka do të të kthehet dhe shfaqet në trajtë neurozash.
Dhe kur i ndodh një shoqërie të tërë, atëhere je para një shoqërie neurotike, e paaftë të bëjë përpara.
Një individ a shoqëri e tillë e ka të pamundur të kthejë faqen, të vazhdojë normalisht jetën.
Kam takuar njerëz që presin edhe 20 dhe 30 vjet të njohin rrethanat në të cilat u ka ikur njeriu i tyre, të mësojnë përse vuajtën, përse i dënuan, pse iu shkatërrua gjithçka. Kanë nevojë të kuptojnë.
Vetëm atëherë mund ta rinisin jetën që e kishin vënë në paranteza.
Tani që i kthehem nga afër Shqipërisë, vërej se shqiptarët mbeten një popull i braktisur, të cilit, askush nuk i ka zgjatur një shami të fshijë lotët!
©Dashnor Kokonozi



















