Blog

Edhe ti Brut? - Nga Ilir Gjini

Jul Çezari, gjenerali më i lavdishëm i Romës që nuk ishte mposhtur kurrë në fushën e betejës, nuk po i besonte syve kur disa senatorë të squllët nxorrën nga veshjet e tyre thikat. Më shumë se thikat e senatorëve e vrau pabesia e mikut të tij Brut. Në frymën e fundit ai shfreu: Edhe ti Brut?!

Ndërkohë, gjenerali i fundit që i solli triumfin PD-së, tani e sheh veten “non grata” jo vetëm nga superfuqia USA, por edhe nga partia që vetë themeloi dhe udhëhoqi. E për më tepër nga krijesa e tij politike. Monologu i Berishës në TV pas shpalljes “non grata” nga kreu i PD-së, dukej sikur thoshte: Edhe ti Luli?!

As në ëndrrat e tij më të errëta, Berisha nuk e kish menduar kurrë se do “vritej” pikërisht nga Basha të cilin e katapultoi në detyrat më të rëndësishme shtetërore, duke e kurorëzuar edhe në karrigen e kryetarit të opozitës. E mbrojti atë edhe në dështimet e shumta. E mbrojti edhe kur i largoi thuajse gjithë mbështetësit e tij.

Çtë mbjellësh do korrësh - thotë një fjalë e urtë. Sali Berisha për të parën herë pranoi se kishte gabuar me Bashën. Po pse e largoi Basha? Për arsye parimore?

Po të ishte kështu do ta kish larguar që tre muaj më parë! A është Basha një lider i shantazhueshëm? Po të shikojmë pas lëvizjet e Bashës dhe cirqet e kthesat 180 gradë, që nga çadra e deri te zgjedhjet lokale e parlamentare, bindemi se është i shantazhueshëm. Madje tepër i brishtë.

Nuk do lejojmë të zhvillohen zgjedhjet lokale” - tha Basha. Por pas kërcënimit të Palmer jo vetëm që i lejoi, por si me magji mbylli dhe protestat. Të jetë lobimi me një pagesë 800.000$, apo ndonjë lugë çorbë oligarkësh që Basha e ka gëlltitur, që e detyrojnë atë të qëndrojë “sus”?

Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Bashës pas zgjedhjeve duket se janë të dirigjuara nga Ambasada e Rrugë s së Elbasanit. Më vodhën zgjedhjet, por nuk do bëj protesta! Rama ik…në fund doli: Berisha ik! Basha është i vetmi kryeopozitar në botë që kur i vjedhin zgjedhjet, nuk bën protesta por zbaton urdhërat e Ambasadores. Madje edhe zgjedhja e drejtuesve të rinj të PD-së, tregon dorrëzim të plotë të opozitarizmit.

Tashmë rruga është shtruar dhe Kryeministri po lundron i qetë drejt mandatit të katërt. Me largimin e Berishës nga skena politike nuk u dogj individi Berisha. Tashmë u shua opozita legale.

PD-ja do përçahet e tkurret dhe Rama do sundojë i qetë. “Miqtë” amerikanë po ia bëjnë më të lehtë Ramës sundimin e plotë të shtetit. Ndërkohë që në kampin qeveritar nuk është shpallur “non grata” as Sajmir Tahiri i dënuar me vendim gjykate?!

Edhe ata pak gazetarë profesionistë që nuk janë dorëzuar ende, do gjenden të zbuluar në acarin e pushtetit. I gjithë pushteti sovjetëve! Qeveria, parlamenti, drejtësia dhe opozita, janë në duart e Ramës. Vetëm një pjesë e vogël e medias vazhdon të rezistojë, si për të na bërë të besojmë që ende ka disa rreze shprese.

Demokracia shqiptare është në ditët e saj më të errëta, prandaj sytë e të pashpresëve që nuk kanë mundësi të largohen nga Shqipëria duket sikur thonë: Edhe ti Brut?

©Ilir Gjini