Blog

Kanabisi i skërkave dhe hashashi i mediave - Nga Çapajev Gjokutaj

Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së përbën fokusin mediatik të këtyre ditëve. Pas gjasash konflikti në PD do zgjasë dhe Berisha ka aftësi si rrallëkush që konflikte të tilla t’i kthejë në vorbulla që përthithin vëmendjen e medias dhe të publikut.

Në radhë për t’u rindezur është edhe konflikti përkohësisht i ngrirë Rama-Meta.

S’do kalojë shumë kohë dhe do nisë telenovela ala Babale për skandalin e radhës në qeverisje. Se ky është mandati i tretë dhe dihet që mazhorancat janë si uji, sa më gjatë qendrojnë në pushtet, aq më shumë kutërbojnë si moçalishte.

Nëse ky parashikim për fokuset mediatike vërtetohet, vetiu lind pyetja: po çështjet me interes më të gjerë publik do debatohen ndonjëherë? Këto ditë psh po rritet çmimi i bukës, jo pak por me 20%, po kush ka nge të merret me hallet e fukarasë?! Vazhdon e do të vazhdojë avazi për politikën e madhe, atë të madhen fare.

Ky lloj ligjërimi gjasme politik jo vetëm që u hyn në pjesë halleve që kemi në rrafshe të ndryshme të jetës, por shërben edhe si hashash për të trullosur njerëzinë. Ka të ngjarë që në ligjërimin mediatik kultivojmë shumë më tepër kanabis se sa në skërkat e fshehura pyjeve...

©Çapajev Gjokutaj