Blog

Satelitët e Elon Musk dhe Rama si mashtrues i nivelit të lartë - Nga Dritan Goxhaj

Në vitin 1532 Nikolo Makiaveli publikon librin e tij “Princi” si një udhërrëfyes për pushtetarët, për të ardhur në pushtet ose mbajtur pushtetin. Dhe qëllimi i ardhjes ose mbajtjes së pushtetit mund të justifikohet nëpërmjet përdorimit të mjeteve të pamoralshme. Dhe një nga këto mjete të pamoralshme të cilat Makiaveli propozon në librin e tij është mashtrimi. Në librin e tij ai iu sugjeron sundimtarëve që të gënjejnë ose mashtrojnë në mënyrë të paskrupullt për të mbajtur pushtetin.

Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala mashtrues ka kuptimin një njeri që gënjen, hileqar.

Dhe mashtruesit ndahen në disa kategori. Ata janë mashtrues të vegjël, mashtrues ordinerë dhe në fund kemi mashtrues të nivelit të lartë. Kësaj kategorie në Gjermani i thonë Hochstapler, që në shqip përktheht mashtrues i rangut.

Mashtruesit e rangut ose të nivelit të lartë përdorin në mashtrimin e tyre gjithnjë gjysëm të vërteta, për ta bërë mashtrimin sa më të besueshëm. Në Shqipërinë tone, mashtruesit e vegjël dhe ata ordinerë janë më shumicë. Ata i gjen kudo, në të gjitha lëmitë dhe rangjet e administratës e të pushtetit.

Por mashtrues i nivelit të lartë, për momentin në Shqipëri eshtë vetëm një njeri. Ai ushtron detyrën e Kryeministrit të Republikës. Ed(vin) Rama, është produkti me të cilin Makiaveli mund të krenohet në atë botë.

Sot ky mashtrues i nivelit të lartë, i vetmi i sojit të tij në trojet tona, na foli për satelitët që do lëshohen në hapësirë në emër të Shqipërisë. Ai na tha se këta satelitë do lëshohen në bashkëpunim me kompaninë SpaceX. Por ama çfarë janë këta satelitë?

Le t’i shohim e kështu do e kuptojmë të gjithë mashtrimin.

Kompania SpaceX, është një kompani në pronësi të miliarderit Elon Musk. Kjo kompani e themeluar prej viti 2002 ka nisur një projekt për të lëshuar satelitë në hapësirë dhe në vitin 2015 ka nisur një projekt për lëshimin e një rrjeti satelitësh, rreth 4000 copë, të quajtur Starlink, me qëllim që të ofrojë internet në të gjithë globin. Për të lëshuar këta satelitë ajo përdor një raketë të njohur si Falcon 9, për të cilën na foli edhe Rama sot.

Këta satelitë janë të një madhësie sa një tavolinë buke dhe sillen në orbitën e ulët të tokës në një largësi nga toka jo më shumë se 550 km. Jetëgjatësia e këtyre satelitëve është 9 vjet. Më pas ata humbasin fuqinë orbitare dhe bien në drejtim të tokës, por duke qënë se janë të vegjël dhe të ndërtuar me materiale të lehta ata digjen gjatë rrugës për të hyrë në atmosferën e Tokës.

Por ajo çfarë është më e rëndësishmja dhe që neve na intereson, është fakti se këta satelitë do të përdoren vetëm për të shpërndarë internet dhe atë jo falas.

Këta satelitë nuk kanë aftesi të bëjnë asnjë lloj pune tjetër dhe aspak atë që Kryeministri ynë si mashtrues inivelit të lartë na tha, e na thotë sa herë flet për ta se do përdoren për të monitoruar.

Përdorimin e këtyre satelitëve vetëm për të shpërndarë internet dhe për asgjë tjetër e ka vendosur U.S. Federal Communications Commission (FCC), e cila është agjencia amerikane për miratimin e komunikimeve.

Pra qartësisht Rama po mashtron në radhë të parë mbi veprimtarinë që këta satelitë do kryejnë dhe në radhë të dytë po mashtron duke mos treguar se sa janë kostot e këtyre satelitëve.

Sipas vetë kompanisë SpaceX, në 2019 në një komunikim të saj me publikun, shpjegohej se kostoja e ndërtimit të një sateliti të tillë të rrjetit Starlink është 1 milion dollarë, por ajo që kushton më shumë është kostoja e lëshimit të raketës Falkon 9, e cila vetëm për një lëshim me disa satelitë në bord, kushton 30 milionë dollarë.

Është mëse e qartë se kostot e satelitëve të cilët nuk na hyjnë në punë, do i paguajë Shqipëria jonë, e marrë peng në këtë rast nga mashtruesi i nivelit të lartë Rama.

Por sa përqind të kostos së lëshimit të raketës do paguajë Shqipëria?

Si duket, delirimet e Ramës edhe në fantashkencë për interes të cilin askush nuk e di përveç tij, do na kushtojnë miliona dollarë, ndërkohë që jeta vazhdon e shtrenjtohet në vendin tonë.

Por më e keqja është se ajo që e quan veten për opozitë, në vend që t’i kërkojë llogari për këto delirime me kosto ekonomike, qesh e tallet me mashtrimet e Ramës.

Përderisa klasa politike nuk ndërgjegjësohet për këto delirime të qeveriut, na lind e drejta që këtë llogari ta kërkojmë vetë, me të gjitha format e mënyrat.

Pasi kostot e këtyre delirimeve fantashkencore të Kryeministrit, cënojnë xhepin ekonomik të çdo familje shqiptare.

©Dritan Goxhaj