Përse u ngrit në nivel akademik kombëtar humori mbi tezën për “Akademinë e barinjve” - Nga Alfons Zeneli

Alfons Zeneli
Akademia e barinjve si frazë ka një shkëlqim bombastik dhe kjo është asyeja e parë që shkaktoi aq bujë në opinion, media e rrjete sociale. Madje buja që shkaktoi vazhdon me gjithë farfuritjen e saj, ndonëse afati fabulik i zgjatjes tri ditë, ka kaluar.
Vetë tingëllimi i fjalës "akademi" çka presupozon një majë shumë të lartë të shkencës, ka shkaktuar humor kur është niveluar me majat e larta të maleve ku barinjtë pa akademi kullosin në kushte idili e paqeje me natyrën delet dhe dhitë.
Po t`ia hapim qoftë dhe dritaren me të vogël imagjinatës, përnjëherë do të na shfaqet në imazhe bariu me gunë e kërrabë duke shkuar në akademi. Pasi sipas kritereve dhe praktikës së njohur deri më tani, nuk mund të ketë Akademi barinjsh nëse nuk shkojnë barinjtë në të. Kuptohet veçse nëse e organizojnë online, gjë që në kushtet e pandemisë është normale e s`do të kishte asgjë të keqe përveç pajisjes së barinjve me lap top të cilët mund ta blejnë me klering duke përdorur mish, djathë dhie dhe lesh.
Tjetër gjë që do t`iu ofronte imagjinata e justifikuar njerëzve, do të ishte auditori, lektorët si dhe baza materiale e nevojshme akademike. Mirëpo, që të arrijë puna deri te Akademia, po sipas logjikës që ka funksionuar deri kohët e fundit, i bie që barinjtë deri sa të arrijnë tek Akademia, duhet të kenë kaluar disa stade e nivele paraprake shkollore. Pasi nuk shkohet në Akademi direkt e nga materniteti. Dmth pa ditur shkrim e këndim si i thonë fjalës, dmth pa kaluar njëherë andej nga 9 vjeçarja apo e mesmja.
Nuk e kam fjalën për arsimin 9 vjeçar apo të mesëm në kuptimin e parë të fjalës. Por në kuptimin e arsimit ngushtësisht profesional. Pra çfarë arsimi apo kursesh profesionale kanë bërë më parë barinjtë që tani s`iu ka mbetur gjë tjetër veçse t`ia mësyjnë Akademisë?
Ministrja e Bujqësisë, presupozohet që t`i dijë të gjitha e të jetë në gjëndje të na i zbardhë enigmat sa hap e mbyll sytë. Mirëpo në sqarimin që ka bërë lidhur me termin, ajo na ka siguruar vetëm se nocionin "Akademia e Barinjve" nuk e ka shpikur ajo vetë por e ka importuar nga Zvicra. Në pamje të parë nuk ka kurrgjë të keqe të importosh nga jashtë dhe aq më tepër nga Zvicra përrallore.
Por do të ishim kuriozë të dinim se çfarë tjetër ka "importuar" nga Zvicra e ka implementuar në Shqipëri zonja ministre? Pasi në Zvicër e Francë mund të ketë Akademi Barinjsh por ka dhe një sistem perfekt bujqesor e blegtoral të cilit shteti i siguron, organizon e lehtëson funksionimin e tregut. Janë këto lehtësira e masa ato që përbëjnë akademinë e vërtetë e të nevojshme për barinjtë aspirantë akademikë të Shqipërisë.
Zonja ministre ndoshta nuk e di se shumica e fondeve dhe donacioneve të dhëna me bujari nga ndërkombëtarët apo dhe ato qe shteti taks vetë për blegtorinë vidhen rrugës dhe tek barinjtë nuk mbërrin asgjë. Kështu që barinjve iu duhet të harxhojnë shumë më shumë kohë në mal për të siguruar shumë më shumë qumësht, mish dhe lesh që të mund t'i shesin. Perndryshe me çfarë t`i blejnë tekstet mesimore të Akademisë? Ose lap top-et në rast të zhvillimit të mësimit online.
Në Shqipëri shumica e akademikëve nuk bëjnë asgjë. Nuk marrin pjesë kurrë me dituritë e tyre në zgjidhjen e asnjë problemi që mundon shoqërinë shqiptare. Sepse janë të atrofizuar e të politizuar. Qeveria shqiptare merr përditë vendime ekonomike, gjeopolitike, energjetike, kulturore të cilat kanë rëndësi jetike për fatet e vendit dhe nuk e pyet kurrë botën akademike. Kjo është asrsyeja e dytë që e ngriti tezën e ministres së Bujqësisë për Akademi Barinjsh në nivelet më të larta akademike të humorit kombëtar.
©Alfons Zeneli



















