Blog

Prit gomar të mbijë bar - Nga Çapajev Gjokutaj

Një parti e re, e krijuar vetëm dy muaj të shkuar, ka fituar zgjedhjet e së dielës në Bullgari. Të ndodhë diçka e tillë në Shqipëri vështirë se e sheh dhe në ëndërr. Prej tri dekadash kemi vetëm dy parti e gjysëm që, laj thaj e ndër, alternojnë njera tjetrën në pushtet. Janë bërë si brekët e Shajes.

Partia fituese në Bullgari është themeluar nga dy sipermarrës të rinj të diplomuar në Harvard. Edhe një pjesë e mirë e të rinjve tanë, që hyjnë në politikë, janë të arsimuar në universitete prestigjoze, po nuk i shpëtojnë që nuk i shpëtojnë dot kthimit në fis, natyrisht në atë të konformizmit, korrupsionit dhe allishverisheve.

Dhe s’di të thuash nga buron kjo paaftësi për të krijuar elita dhe ky ashtëzim alternativash. Vjen nga prirje dumbabiste të një pjese të mirë të elektoratit tonë, vjen nga paaftësia e të rinjve për t’u afirmuar e bërë prokopi apo dy partitë e mëdha ia kanë zenë frymën sistemit politik, kanë bërë e aprovuar ligje që favorizojnë ato dhe asfiksojnë çdo perpjekje për grupime të reja politike?

S’do shumë mend të dallosh se të dyja këto parti s’kanë demokraci të brendshme, keqpërdorin forumet, fshehin donacionet. E megjithatë neve na gënjen mendja se do mirëqeverisin vendin dhe do forcojnë demokracinë në shoqëri.

Kësaj i thonë ‘Prit gomar të mbijë bar’.

S’bën të ofendohemi nga përqasja me gomarin, është kafshë punëtore, me kërkesa modeste e durim proverbial.

©Çapajev Gjokutaj