Blog

Pendarovski hoqi maskën - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Veleshtë, Maqedonia e Veriut

Historia po përsëritet. Pushtetarët maqedonas, e në këtë rast Pendarovski, hoqën maskën, kurse pushtetarët shqiptarë ia mbulojnë fytyren, përtej kundërshtisë së qytetarit shqiptar, që e votoi për kryetar të shtetit. Drejt dhe pa ekuivok, Pendarovski deklaroi: Kosova nuk është në agjendën e amerikanëve.

Dikur përpjekjeve të këtilla denigruese sllave, shqiptarët u përgjigjeshin me imanencë kombëtare, që gjithmonë ka qënë në funksion të emanicipimit kombëtar të tyre. Me ardhjen e Ali Ahmetit dhe regjimit që menaxhon, kjo imanencë kombëtare u detronizua dhe u konvertua në qytetari sorosiane senile majtiste, në interes të dreqit. Pra, i thënshin koncept ideor këtij mosreagimi shqiptar, që realisht patronizon konceptin komb-shtet për maqedonasit në Maqedoninë e Veriut.

Pendarovski lançoi zëshëm konstruksionin paragjykues: Kosova nuk është më në agjendën amerikane, kurse në atë prioritare jo se jo. Deklarim i guximshëm dhe i prerë.

Miq të dashur! Kosova dje mbylli një proçes zgjedhor shembull për Europën e Bashkuar, sepse për Ballkanin po se po. Bile ndoshta kjo sprovë ishte nxitja që Biden thirri në takimin e demokratëve të botës Kosovën.

Nuk ka dilemë se të gjithë shqiptarët që e kanë Kosovën brengë dhe përkujdes të veçantë, deklarimi i Pendarovskit nuk i lumturon, pavarësisht se ky deklarim i Pendarovskit i përngjet ëndrrës, që sipas Frojdit është dëshirë e ëndrruesit (Kosova të mos jetë në agjendën e Amerikës). Përtej kësaj, Ali Ahmeti dhe partia e tij nuk duhet të heshtë siç po vepron tani e gjatë kohë. Kjo heshtje vret edhe më shumë se deklarimi i zëshëm i Pendarovskit që si rrjedhojë vë në dyshim përkushtimin kosovar të vetë heshtakëve. Vallë, mos mendohet se ne shqiptarët sipas logjikës së Pendarovskit miqësinë dhe lidhshmërinë amerikane ta kompensojmë dhe zëvendësojmë me Vuçiçin dhe Zaevin?

Përfundimisht, qeverisja shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka detyrimin kombëtar të mirëkoordinojë veprimet në rrafshin rajonal me Kosovën, qeverinë aktuale dhe legjitime Kurti 2 dhe të inkurajojë ate në dialogun me Serbinë si prioritet kombëtar. Kjo do të ishte diplomaci e zgjuar dhe vëllazëri e dëshiruar. Por a bëhet kjo me këtë strukturë qeverisëse të kohës?

Pendarovski ka qënë për vite i caktuar nga Crvenkovski personi i parë për siguri në presidencën e vëndit. Koncepti dhe ideshmëria politike e Crvenkovskit dhe partisë së tij është e njohur në raport me shqiptarët. Vëmendja ndaj kësaj asnjëherë nuk duhet të mungojë.

Andaj, deklarimi i Pendarovskit deklasifikon porosi për shqiptarët, qoftë në rrafshin e marëdhënieve shqiptaro-maqedonase, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar dhe rajonal. Pra, kjo edhe më tej e dramatizon deklarimin e tij në aludimin se gjoja shqiptarët për Amerikën nuk janë ata që ishin në fundvitet nëntëdhjetë dhe fillimvitet dymijë.

Dhe të kuptohemi, nëse vota e estabilishmentit politik të BDI-së me në krye Aliun ka qënë blanco për zgjedhjen e Pendarovskit për kryetar shteti, kjo nuk ka qënë edhe vullnet i qytetarit shqiptar. Andaj Pendarovski nuk ka të drejtë të denigrojë shqiptarët votues të tij.

Përtej paragjykimeve, është historik përkushtimi i shqiptarëve dhe kosovarëve në veçanti ndaj Amerikës dhe popullit të saj. Ky përkushtim i palëkundur proamerikan i shqiptarëve, jo që nuk ka pushuar, por gjithmonë me tërë fuqinë e vet i ka mbrojtur simbolet dhe vlerat e Amerikës, kur të tjerët këto i kanë sulmuar brutalisht edhe në Ballkan, veçmas gjatë luftërave të fundit, përfshi edhe vandalizmat para Ambasadës Amerikane në Shkup.

Si përfundim dhe meditim i zëshëm, irelevanca amerikane ndaj politikanëve që mjegullojnë politiken është e mirënjohur. Është historik përkushtimi pro Amerikës i shqiptarëve. Ai nuk është dallgë kaluese. Është imanencë e ndërtuar gjatë historisë. Kujtojmë vetëm Konferencën e Parisit 1919 e cila fuqishëm legjitimoi parimin e Woodrow Wilsonit: Sistemet, qoftë kombëtare apo ndërkombëtarë nuk duhet të bazohen në ekuilibrin e forcës (qëndrim evropian), por në vetvendosjen nacionale. Andaj Pendarovski paragjykon padrejtësisht dhe qëllimisht shqiptarët.

©Xhevdet Nasufi