Blog

Llumi që paguan llumin - Nga Përparim Kabo

Në një shoqëri demokratike e drejta e shprehjes është themelore, ndryshe nga shoqëritë diktatoriale, ku as të lejojnë të mendosh me kokën tënde, as të shprehesh si mendon dhe as ta mbrosh atë që ti mendon. Por te ne, në këta vite tranzicioni gradualisht mendimi i lirë dhe fjala e lirë sa vijnë e po tkurren. Nuk pelqehet dhe po zë vend një mendesi feudale që shpërndahet në strukturën e bejlerëve, zbret te agallarët dhe deri te qehajaji apo pojaku i llumfshatit.

E gjithë kjo strukturë është prej llumi dhe llumi lart, paguan llumin poshtë, që të shpifin, të shajnë, të hedhin baltë, thjesht të pengojnë të vërteten. Një përpjekje e fundit për të mos e lënë shoqërinë të dalë nga e shkuara.

Mendimi i lirë dhe liria e shprehjes janë frymëmarrja e demokracisë funksionale, e nëse bie demokracia e mendimit, mbijeton pushteti i tregut dhe i parasë që ka sot një llumnajë... Është për të ardhur keq që ka struktura llumi, që me pagesa qesharake hidhen në sulm dhe lëshojnë baltën e tyre mbi këdo që mendon me koken e tij...

Namuzllumi është i pagjumë, është i dëshëruar që të lëvdohet, të përkedhelet, të miklohet dhe fatkeqësisht në realitetin tonë ka shumë pa shtyllë kurrizore, që janë gati për lëmoshën që marrin, të bëjnë rolin e insekteve parazitë në shoqërinë tonë...

Thuaje të vërtetën të ndjehesh i lirë, kjo ishte gjithçka që e frymëzonte Jezusin, kur Ponc Pilati e pyeti pse të akuzojnë ty këta... dhe prej atëherë, e vërteta e ka dëshmorin e vet...

©Përparim Kabo