Blog

Favorizimi i neveritshëm i Tiranës ndaj Beogradit - Nga Enver Robelli

Edhe Vladimir Putini shprehu keqardhje për gati 50 shqiptarë të vdekur në aksidentin e tmerrshëm afër Sofjes në Bullgari. Ditë zie shpallën Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria. Shqipëria nuk e pa të nevojshme një gjest të tillë, pra të shpallë ditë zie.

Ka diçka të kalbur në elitat politike në Tiranë. Dhe ky është, në radhë të parë, problem i qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë që zgjedhin figura jodinjitoze në pushtet. Krahasojeni mungesën e gjestit për viktimat shqiptare nga Maqedonia e Veriut me propagandën qeveritare të Tiranës kur Serbia i dërgoi nja 10 zjarrfikës për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit. (Kosova dërgoi forca ushtarake, me atë rast).

Sot u bë shumë propagandë se tani, me një aplikim të thjeshtë, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të pajisen me leje qëndrimi dhe leje të punës në vendet përkatëse. Por gjysma tjetër e së vërtetës është se në kuadër të projektit “Ballkani i Hapur” qytetarëve të Serbisë u lejohet e drejta e punës dhe qëndrimit në Shqipëri pa gati asnjë procedurë burokratike. Nga Smedereva në Sarandë - pa asnjë pengesë. Nga Dimitrovgradi në Durrës - poashtu pa problem. Nga Kikinda në Korçë - nema problema! Nga Beogradi në Berat - pse jo!?

Në rrethana normale, pra nëse Serbia do të pranonte Kosovën si shtet, kjo nuk do të ishte edhe aq problem, por në situatën aktuale, ky favorizim aq i madh i Serbisë nga Tirana është neveritës. Rrjedhimisht, në sezonet e ardhshme turistike në bregdetin shqiptar do të kumbojë edhe më shumë muzika e Cecës dhe Dragana Mirkoviçit dhe do të ketë gjithnjë e më shumë lokale që ofrojnë “Leskovačka mućkalica”.

©Enver Robelli